Aktualitet

Digjen 4 makina në Shkodër, zjarrvënia e qëllimshme!

Digjen katër automjete në Shkodër. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, pranë vendit të quajtur “Bexhisteni”, në hyrje të qytetit verior. Paraprakisht, raportohet se dy prej makinave u shkrumbuan plotësisht dhe dy prej tyre, pjesërisht. Fillimisht, zjarri iu vu qëllimisht një Audi A6 e më pas flakët u përhapën te të tre mjetet e tjera, të parkuara në zonë. Të zgjuar në panik, ishin banorë të saj që njoftuan policinë e zjarrfikësit, ndërhyrja e të cilëve vuri nën kontroll situatën, duke bërë të mundur lokalizimin e shuarjen e zjarrit.

Njoftimi i Policisë Shkodër:

Rreth orës 02:50 të mëngjesit, në lagjen “Salo Halili”, në Shkodër, janë djegur plotësisht automjetet  tip Audi në pronësi të shtetasit G. P. , Audi në pronësi të shtetasit G. D, ndërsa automjetet tip Volkswagen në pronësi të shtetasit M. M. dhe Opel në pronësi të shtetasit A. M.,  janë djegur pjesërisht.

Vijojnë veprimet hetimore duke mbledhur çdo provë materiale e vlerësuar çdo informacion, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë me ekspertë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për përcaktimin e shkakut të djegies dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Njëra prej makinave, që dyshohet edhe si shënjestra e zjarrvënies, një Audi A6 rezulton në përdorim të një shtetasi, i arrestuar në vitin 2016, i akuzuar për tentativë vrasjeje.