Sport

Dinamo vjen e plotë në derbin me Partizanin! E njëjta gjë nuk mund të thuhet për të kuqtë…

Për derbin me Partizanin, Dinamo nuk ka asnjë lojtarë të skualifikuar apo të dëmtuar. Një plus ky për trajnerin Mehmeti që ta përgatisë sa më mirë këtë sfidë dhe të përzgjedhë më të mirët për të synuar fitoren e tretë radhazi, që do të ishte një “rekord” për këtë sezon. Në krahasim me ndeshjen e fundit me Erzenin, mund të ketë vetëm ndonjë ndryshim të vogël. Ndoshta mund të shtohen forcat në mesfushë për të bërë një ndeshje më të kujdesshme, duke iu përshtatur kundërshtarit. Trajneri Mehmeti ka edhe dy ditë kohë për të vendosur për formacionin, të gjithë janë të gatshëm. Mbetet të shihet sesi do ta zgjidhë trajneri, i cili me Partizanin ka edhe një të shkuar si trajner dhe i njeh disa lojtarë të “demave”.

Nga ana tjetër, Partizani u ndal në një barazim 1-1 përballë Egnatias javën e kaluar. Kalendari i ka rezervuar disa sfida të vështira njëra pas tjetrës. Pas Egnatias, Partizani do të duhet të mas forcat me Dinamon dhe Tiranën, praktikisht dy ndeshje derbi për të kuqtë, të cilët po vuajnë mungesat dhe dëmtimet e shumta në këtë sezon. Partizani nuk mori çfarë deshi në sfidën ndaj Egnatias dhe përveç kësaj humbi edhe një lojtar të rëndësishëm si Maget Gueje. Mesfushori pësoi një dëmtim në shpatull dhe la fushën mes dhimbjesh dhe frikës për një frakturë të mundshme. Nga ana tjetër trajneri analizoi sfidën, ku përgjithësisht u shpreh pozitiv për atë që skuadra dha në fushën e lojës por Shei e pranoi se dalja e Magetit ndikoi direkt në lojën e ekipit.