Aktualitet Sport

Partizani i shpëton humbjes në Laç. Cara e lë me 10 vetë, Qirko pret prenallti!

Partizani nuk mori më shumë se një pikë sot në Laç, por mund të shkonte edhe më keq se barazimi 1-1 për kampionët në fuqi, të cilët luajtën me 10 lojtarë për më shumë se 60 minuta.

Tedi Cara u ndëshkua me karton të kuq për një faull të rëndë ndaj një lojtar kundërshtar, pas ndërhyrjes së VAR-it. Ishte episodi që diktoi ndeshjen më pas. Gjithsesi, të kuqtë shënuan të parët me anë të mbrojtësit Sota.

Në pjesën e dytë ndeshja loja foli e gjitha për Laçin, që fillimisht barazoi me Sobouejll. Kurbinasit fituan një penallti, por shpërdoruan shansin për ta fituar ndeshjen, pasi gjuajtja e Ujkës u prit nga portieri Pano Qirko.

Për mënyrën si shkoi ndeshja, Partizani mund të kënaqet me barazimin, edhe pse humbi një mundësi të mirë për t’iu afruar Vllaznisë së vendit të dytë. Kampionët e Superiores mbajnë vendin e 3-të pas 29 javësh kampionat, me 47 pikë.

Laçi ndërkohë konfirmohet si ‘mbreti’ i barazimeve. Pika e fituar nuk i kënaq aspak laçianët, të cilët mbeten të rrezikuar për rënien nga kategoria. Trajneri Armando Cungu ende nuk ka mundur të shijojë fitoren e parë në krye të këtij ekipi.

Renditja e Superiores kryesohet nga Egnatia, me 54 pikë, e ndjekur nga Vllaznia me 50 pikë. Mbyllin klasifikimin Kukësi dhe Erzeni, që po rrëshqasin drejt Kategorisë së Parë.