Rajoni

Dinari serb, temë e bisedimeve sot në Bruksel/Takimi për dialogun Kosovë-Serbi!

Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë sot mblidhen në Bruksel për takimin e radhës, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Fillimisht, zyrtarët europianë që ndërmjetësojnë bisedimet, pritet të kenë takime të ndara me kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviç, të cilët udhëheqin delegacionet respektive. Takimi i përbashkët trepalësh, ende nuk është i sigurt se do të ndodhë.

Një ditë më parë, Bashkimi Europian paralajmëroi se do të shtojë presionin mbi dy vendet, për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve. Por, bisedimet mund të mbeten nën hijen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë, gjithashtu temë e paralajmëruar nga BE-ja.

Me një rregullore të Bankës Qendrore, më 1 shkurt, Kosova ndaloi përdorimin e kësaj valute duke e bërë euron mjet të vetëm pagese. Përveçse zemëroi Serbinë, çështja nxiti mosmarrëveshje edhe mes qeverisë së Kosovës e bashkësisë ndërkombëtare, pasi prej vitesh komuniteti serb në Kosovë, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha dje se është arritur pajtim mbi “një pjesë të propozimit amerikan për dinarin” dhe shtoi se “do të ishte ideale” që për këtë çështje të arrihet një marrëveshje gjatë takimit të sotëm në Bruksel.

Javën e kaluar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, zv.ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar tha se kryeministri Albin Kurti nuk pranoi ta pezullonte rregulloren e BQK-së derisa BE-ja, SHBA-të dhe Qeveria e Kosovës të gjenin zgjidhje afatgjatë, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Por, Petkoviç, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit për pajtueshmëri, duke i cilësuar “gënjeshtra”. Serbia këmbëngul se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa për Kosovën, “është teknike” dhe ka të bëjë me “integritetin financiar të vendit”.

Një takim u zhvillua edhe në fund të shkurtit, por pa dakordësi. Zyrtarët europianë thanë se “shumë pyetje politike” për rregulloren e BQK-së mbeten pa përgjigje.