Bota

Dita e 115-të e luftimeve në Ukrainë!

Sot, dita e 115-të e luftës në Ukrainë dhe bombardimet ajrore të trupave të Moskës, nuk ndalen. Me ofensivën ruse, tashmë të përqendruar në rajonin lindor Donjeck, raportohet se katër persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën, në orët e fundit. Burime nga terreni tregojnë se çdo ditë, në zonë shkojnë 30 kamionë me ushtarë rusë, për përforcime të mëtejshme. Ndërkohë, përmes zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kremlini rithekson linjën e tij:

Ukraina me kufijtë që njihnim deri tani, nuk ekziston më e nuk do të jetë më! Kjo është evidente. Ata kufij, nuk janë më!

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në negociata për të ndërmjetësuar zgjidhjen e konfliktit, por jo menjëherë, “në një moment të dytë”.

Ndërkohë, pasardhësi i Merkelit, kancelari aktual i Gjermanisë, Olaf Scholz rikthekson nevojën për të ruajtur dialogun me presidentin rus, Vladimir Putin. Kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba nuk e fsheh se Ukraina është gati për dialog me Rusinë, pavarësisht krimeve e mizorive të kryera, por sipas tij, “askush nuk mund t’i imponojë vendime, vendit”. Duke folur për mundësinë e një vizite në Ukrainë të Papa Françeskut, Kuleba deklaroi:

Jemi të lumtur të presim Atin e Shenjtë! Këtu, janë të shumtë ata që e presin, edhe njerëz që nuk i përkasin besimit katolik. Vizita e tij do të na bënte të lumtur.

Në Kiev, ku shkoi në një vizitë të beftë, kryeministri britanik, Boris Johnson konfirmoi se Britania e Madhe është gati të nisë një operacion të gjerë për të stërvitur mijëra ushtarakë ukrainas. Synimin ia shprehu presidentit Volodymyr Zelensky, ndërsa për Johnson-in, kjo është e dyta vizitë surprizë në kryeqytetin e Ukrainës që prej fillimit të pushtimit rus, më 24 shkurt. Vlerësimet janë se në bashkëpunim me aleatët, Londra mund të trajnojë deri në 10 mijë ushtarë, çdo 120 ditë.