Aktualitet

Dita e Flamurit, flamuri kuqezi valëvitet edhe në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara!

Komuniteti shqiptaro-amerikan në shtetin e Virxhinias, organizoi një aktivitet me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Tashmë ky komunitet e ka kthyer në një traditë zhvillimin e ceremonisë për ngritjen e flamurit shqiptar në qytetin Leesburg të Virxhinias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të morën pjesë edhe ambasadorja e vendit tonë në Amerikë, Floreta Faber, përfaqësues të Ambasadës së Kosovës dhe Drejtori i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, Elez Biberaj.

Diplomatja e Tiranës, Floreta Faber përcolli urimet e rastit për 110-vjetorin e Festës së Flamurit dhe shprehu kënaqësinë që kjo ceremoni është kthyer në traditë tashmë.

Po ashtu, foli me vlerësime për organizmin e  këtij komuniteti, i cili po rritet çdo ditë e më shumë. 2022-shi përkoi edhe me festimet e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e Shteteve të Bashkuara, vendi i parë që e njohu Shqipërinë si shtet i pavarur dhe kurorëzoi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, mbi një shekull më parë. Gjithashtu, aktiviteti  u shoqërua me një program artistik.

Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 110 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme në trevat shqiptare dhe për shqiptarët anembanë botës. Kjo datë shënon dy momente të veçanta për historinë e vendit tonë. Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar, mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë, shtet sovran dhe të pavarur.

Vlorë aty ku më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin shqiptar duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, sot u mbajt ceremonia e ngritjes së flamurit, me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë. Kjo ceremoni ka bërë bashkë drejtuesit më të lartë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës. Të pranishëm ishin presidentët Bajram Begaj e Vjosa Osmani, kryeparlamentarët Lindita Nikolla e Glauk Konjufca, si dhe kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti. Nën tingujt e himnit të flamurit, zyrtarë e lartë të dy shteteve u përkulën dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.