Aktualitet Politikë

Dorëheqja e Alibeajt, Jorida Tabaku pyetet nëse do të jetë në krye të PD-së?

Për Jorida Tabakun ishte e papritur dorëheqja e Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar demokrat, por nuk komentoi nëse do të marrë drejtimin e përkohshëm të PD-së. Tabaku tha se po diskutojnë hapat që do të ndërmerren.

Ende jemi duke diskutuar për mënyrën si do të anashkalohet ky ngërç. Për mua ishte e papritur dorëheqja e Alibeajt. Siguroj që çdo hap që do të ndërmerret do të diskutohet me kolegët e demokratët. Nuk është keq të kesh ambicie në politikë, por në këtë rast, për mua, ambicia kryesore ka qenë dhe është ajo e demokratëve, asnjë personale.

Tabaku foli dhe për rezultatin e opozitës në zgjedhjet vendore të 14 Majit që i mbylli me humbje të thellë. Sipas deputetes demokrate, “të gjithë demokratët duhet të pranojnë gabimet që kanë bërë, te vetja, si dhe të reflektojnë për t’u bërë alternativë, jo refuzim i shqiptarëve”.

Kam pritur që numëruesit të mbaronin punën. Unë kam të njëjtin qëndrim që kisha që në fillim të shtatorit. Kam bërë thirrje për të gjithë ata që janë në PD, pak rëndësi ka që mendojnë ndryshe, që PD-ja duhet të ishte bashkë dhe të kishte ofertë të unifikuar. Kam bërë thirrje që secili prej nesh të mendonte më shumë se interesat e veta personale, kam bërë thirrje që PD të ndryshonte mendësinë, të ndryshonte ofertën, sjelljen.

Në këtë moment kam kërkuar të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, të reflektojmë, të mos vijojmë po njësoj, me të njëjtat justifikime, por të kalojmë një proces i cili do kohë. Por, t’i japim kohë demokratëve dhe vetes për të kuptuar se ku gabuam.

Nëse do të kishim ndryshuar ofertën e PD-së, nuk do i kishim lënë vendin llumit, mllefit, sulmit, përçarjes, por bashkimit dhe ofertës së PD-së. Situata do të ishte ndryshe. Ka ardhur momenti që të reflektojmë e të sillemi ndryshe. Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë. Duhet të shohim nga vetja se çfarë bëmë gabim. Të pranojmë që PD-ja nuk është as më e madhe, as më e bashkuar, as më e fortë, se këtë treguan rezultatet. Nuk mund të jemi refuzimi i shqiptarëve, por alternativa.