Bota

Dorëhiqet Conte, mbledhje për situatën politike!

Në Itali pritet një mbledhje e qendrës së djathtë për të diskutuar situatën e fundit politike pas dorëheqjes së kryeministrit Giuseppe Conte. Të pranishëm do të jenë Matteo Salvini, Giorgia Meloni e Antonio Tajani, me Silvio Berlusconi-n në lidhje online. Në këtë moment delikat për vendin fqinj, të goditur dhe nga pandemia koronavirus, nuk përjashtohet mundësia që presidenti Sergio Mattarella t’i besojë Conte-s krijimin e një kabineti të tretë. Por kryeministri i dorëhequr nuk mund ta bëjë këtë pa ndihmën e Berlusconi-t.

Ndonëse i mbijetoi dy votimeve në Parlament, nuk ka kthim pas për  Giuseppe Conten. 56-vjeçari dha dorëheqjen si Kryeministër i Italisë dhe vendi fqinj hyn në krizë politike që nisi me largimin nga koalicioni qeveritar të partisë “Italia Viva” e ish-kryeministrit Matteo Renzi. Më herët gjatë ditës, Conte ia komunikoi vendimin anëtarëve të kabinetit në një mbledhje që i parapriu takimit në Presidencë me kryetarin e shtetit, Sergio Mattarella, i cili tani ka një detyrë të vështirë.

Presidenti duhet të merret me një krizë që për Italinë hapet në një moment delikat e kjo për shkak të goditjes nga pandemia koronavirus. Mattarellën e presin konsultime të vështira dhe jo domosdoshmërisht duhet ta pranojë dorëheqjen. Kjo mund të çojë në krijimin e Qeverisë “Conte 3”.

Giuseppe Conte është nën presion që kur koalicioni qeveritar i qendrës së majtë që drejton prej 16 muajsh, humbi shumicën në Senatin italian. Shkak u bënë përplasjet me partinë e Renzit sa i përket adresimit të fondeve në planin ekonomik anti-COVID. Sipas mediave në vendin fqinj, nëse Mattarella i beson krijimin e një kabineti të tretë, kryeministri i dorëhequr mund t’i kthejë sytë nga blloku i qendrës së djathtë, duke shpresuar në ndihmën e një tjetër ish-kryeministri dhe ai quhet Silvio Berlusconi.