Aktualitet Food & Drink Travel

Dreka në Tiranë, më e shtrenjta në Ballkan!

Muaji gusht shënon kulmin e sezonit turistik në Europë. Pas dy viteve pandemi, ku lëvizjet ishin të kufizuara, këtë verë fluksi është shtuar kudo. Edhe shumë shqiptarë kanë zgjedhur të udhëtojnë jashtë, reflektuar kjo në shtimin e ndjeshëm të fluturimeve nga aeroporti i Rinasit.

Por, a e dini se cilat janë qytetet e Europës ku ju kushton më shtrenjtë të konsumoni një vakt në restorant e ato më të lirat? Numbeo, sistemi më i madh i të dhënave në botë ka renditur shumë shtete në botë në Indeksin e Çmimeve të Restoranteve dhe koston e një dreke në një restorant mesatar për dy persona (tre pjata), ku kemi përzgjedhur vetëm shtetet e Europës.

Nëse do të shkoni në Zvicër duhet të merrni masat dhe të mbushni portofolin. Ky shtet ka dhe qytetet me restorantet më të shtrenjta në Europë. Një drekë për dy persona në Zug apo Zyrih kushton 123 euro mesatarisht për dy vetë. Po ashtu në Gjenevë, Lozanë apo Bazel, sërish do ju duhen pak më shumë se 100 euro.

Pas Zvicrës, restorantet më të shtrenjta janë në qytetet e shteteve nordike. Në Odense të Danimarkës apo Oslo të Norvegjisë sërish do ju duhen rreth 100 euro. Në Espoo, Finlandë dreka kushton po rreth 100 euro. E shtrenjtë është dhe Valletta në Maltë, ku do ju duhet të shpenzoni 100 euro. Në Itali, më shtrenjtë është në Milano, ku ju duhen 80 euro. Edhe në Zadar të Kroacisë kushton pak a shumë po kaq.

Në Francë, më shtrenjtë është në Nisë, 73 euro, ndërsa në Paris 60 euro. Në Gjermani, dreka më e shtrenjtë është rreth 60 euro. Në Barcelonë ju mjaftojnë 55 euro. Në Greqi, më e shtrenjta është Athina, me 50 euro, ndërsa në Selanik 40 euro. Portugalia është më e lira nga desinacionet e njohura turistike. Në Porto për një drekë janë të mjaftueshme 35 euro për dy persona, në Lisbonë deri në 45 euro, ndërsa në zona të tjera si Aivero 25 euro. Turqia ka restorantet më të lira, nga 14 euro në Ankara në 22 euro në Stamboll.

Dreka në Tiranë më e shtrenjta në rajon, në Prishtinë më e lira

Për të drekuar në Europë, më lirë është në vendet e Ballkanit. Tirana dhe Beogradi mbajnë rekordin nga kryeqytetet e shteteve të Ballkanit për drekat më të shtrenjta me 34 euro secila. Në Podgoricë mjaftojnë 25 euro, në Shkup 24 e po kaq në Sarajevë. Më e lira në Ballkan është Prishtina, ku një drekë kushton mesatarisht 17 euro.

Restorantet më të shtrenjtë në botë

Dreka më e shtrenjtë në botë kushton në Hamilton, Bermuda, gati 150 euro. Më pas renditen qytetet e Zvicrës dhe ato të vendeve nordike, por nuk mbeten pas shumë qytete amerikane. Në Santa Barbara në Kaliforni duhen më shumë se 100 euro, në Nju Jork 87. Australia, Kanadaja, Izraeli vijojnë në listën e shteteve në qytetet e të cilave duhet të shpenzosh më shumë për të konsumuar një vakt. Restorantet më të lirë në botë gjenden në Indi e Pakistan, ku dy persona mund të konsumojnë një vakt të plotë me 7-10 euro./ Monitor