Aktualitet

Droga në Drenovicë, shkarkohet drejtori policisë në Berat

Kapanoni i drogës në Drenovicë “djeg” drejtorin e policisë në Berat. Burime bëjnë me dije se Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka shkarkuar nga detyra Edmont Targajn. Në këtë detyrë është propozuar Kastriot Skënderi, aktualisht Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm.

Ndërkohë, i gjithë zinxhiri komandues i policisë së Beratit dhe policët e zonës që duhet të kontrollonin territorin e fshatit Drenovicë të Beratit, ku u zbulua një fermë e mirëfilltë e kanabisit kanë marrë masë disiplinore nga drejtoria e standardeve profesionale në Policinë e Shtetit.

Lëvizjet vijnë pasi në fshat prej gati një muaji ishte ngritur një punishte hashashi pa rënë në sy të askujt dhe policia është e pazonja të kthejë përgjigje se ku ishte kultivuar droga që përpunohej në sera dhe ku u transportua droga e përpunuar.

Deri më tani hetimi është në duart e prokurorisë së Beratit e cila po heton veprimtarinë e 11 personave të arrestuar si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale dhe po verifikon rolin edhe të 95 punonjëseve gra të cilat përpunonin hashashin.

Prokuroria po verifikon nëse kjo kompani e mirëfilltë hashashi ka marrë garanci nga struktura të veçanta në policinë vendore. Hetimi po asistohet edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes policore e cila e kontaktuar nga Top Channel, tha se vetëm po monitoron veprimet e Prokurorisë dhe nuk ka çelur asnjë hetim për asnjë punonjës policie.