Aktualitet

Durrës, kapet i shpalluri në kërkim/Ishte dënuar për vrasje!

Në kërkim për një vrasje të 8 viteve më parë ku në lokalin e tij qëlloi për vdekje një klient në gjendje të dehur, pranga një 39-vjeçari në Durrës. Sipas policisë, shtetasi Gëzim Kajno u arrestua në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i Ligjit”. Kajno rezulton i dënuar me 10 vite burg, ndërsa i kanë mbetur për të vuajtur 4. Gjatë konfliktit,  plagosi edhe kushëririn e tij.

Njoftimi zyrtar i Policisë Durrës: 

Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, dhënë më datë 17.10.2023, për ndalimin e shtetasit Gëzim Kajno, 39 vjeç.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet. Më datë 01.03.2016, në lagjen nr. 17, Durrës, 39-vjeçari ka vrarë me armë zjarri, shtetasin Asllan Kërtusha”, njofton Policia e Durrësit

Shtetasi Gëzim Kajno iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.

Në një tjetër zhvillim, tre persona u arrestuan dhe një tjetër u vu nën hetim nga policia pasi dyshohet se ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, në një lokal në Kamëz.

Ata u kapën në flagrancë e në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 10 mijë euro e mbi 140 mijë lekë. Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Po në Kamëz, në mjediset e bashkisë u zhvillua një takim me fokus forcimin e bashkëpunimit me qëllim zbatimin sa më efektiv të masave të hartuara për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Qëllimi i këtij takimi ishte parashikimi i masave, detyrave dhe veprimet që do të merren dhe zbatohen nga strukturat ligjzbatuese, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunim sa më efikas me strukturat e tjera ligjzbatuese, koordinimin e menjëhershëm dhe efektiv të punës ndërmjet strukturave, si dhe për problematika të ndryshme dhe kryesisht për zonat që janë me risk të lartë për kultivimin e bimëve narkotike.

Policia e Tiranës do të vijojë kontrollet e përbashkëta në terren, me të gjitha agjencitë ligjzbatuese, me qëllim bashkërendimin e veprimeve për të parandaluar, për të konstatuar në kohë dhe për të goditur rastet e kultivimit të bimëve narkotike.