Aktualitet

Dy ngjarje kriminale në Lezhë, plagoset kreu i Njësisë Administrative Kallmet!

Lezha ishte sot në fokus të dy ngjarjeve kriminale, me pasojë një të plagosur. Në Kallmet u qëllua me pistoletë në rrugë e mbeti i lënduar, një person identifikuar si kryetari i Njësisë Administrative, Besnik Simoni. Fillimisht, ai u transportua në spitalin e Lezhës e më pas me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë e në vendngjarje shkoi policia. Blutë shpallën në kërkim autorin e dyshuar, Altin Marku.

Rreth orës 13.30, në fshatin Kallmet, dyshohet se pas një konflikti verbal të nisur më parë në zyrë, është plagosur në rrugë, me armë zjarri pistoletë shtetasi B. S., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Kallmet, Lezhë, i cili është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar A. M. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe fiksimin e çdo provë materiale që do t’i shërbejë hetimit, për zbardhjen dhe dokumentin e  plotë të ngjarjes”, ka njoftuar policia e Lezhës.

Shpërthim në një lokal në Lezhë, hidhet lëndë plasëse. Ngjarja u regjistrua në lagjen “Besëlidhja”. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar e shpërthimi nuk ishte shumë i fortë, por shkaktoi panik te klientët e lokalit, të cilët dolën menjëherë jashtë të traumatizuar. Zona është e pajisur me kamera që mund të ndihmojnë hetuesit në zbardhjen e ngjarjes, për të cilën ende nuk ka shumë detaje e po punohet për të mësuar më shumë rreth motiveve e autorëve të mundshëm.