Bota

Dy ngjarje nga bota, viktima nga një zjarr në Nigeri dhe kërkime për varkën e zhdukur në Japoni!

Të paktën 50 vetë gjetën vdekjen në jug të Nigerisë nga shpërthimi në një rafineri të paligjshme të përpunimit të naftës. Dhjetëra njerëz po punonin në mjediset e saj në momentin kur ra zjarr dhe flakët u përhapën me shpejtësi. Shumë prej tyre nuk po arrihet as të identifikohen për shkak të djegieve të panumërta. Ndërkohë, ende nuk dihet me saktësi shkaku i shpërthimit, me pasoja tragjike në vendin afrikan.

Niveli i lartë i varfërisë dhe papunësisë e ka kthyer këtë biznes, në mundësi për të siguruar të ardhura, për një numër të madh banorësh në jug të Nigerisë. Numri i viktimave mund të rritet, pasi një zyrtar nigerian është cituar të ketë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se “më shumë se 100 persona gjetën vdekjen”. Autoritetet në Nigeri, vazhdimisht bëjnë përpjekje që të ndalin përhapjen e fabrikave ilegale ku rafinohet nafta e vjedhur.

Në një tjetër zhvillim nga bota, ekipet e kërkim-shpëtimit në Japoni thanë se “vetëm shtatë njerëz janë gjetur pasi një varkë turistësh me 26 persona në bord u zhduk në ishullin Hokaido”.

Autoritetet japoneze kanë humbur kontaktet me mjetin lundrues pasi arriti të dërgonte sinjale ndihme, mesditën e një dite më parë. Nga ana tjetër, rojet bregdetare nuk kanë konfirmuar nëse personat e gjetur janë gjallë apo fatkeqësisht kanë humbur jetën.

Paraprakisht, raportohet se varka “Kazu 1” u nis në një udhëtim tre-orësh në Gadishullin Shiretoko, një zonë e mbrojtur nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Nisur nga mundësia për të parë shumë gjallesa të botës së pasur nënujore, vizitat me varka janë të shpeshta, sidomos në këtë periudhë të vitit.

Në kuadër të përpjekjeve për shpëtim janë angazhuar helikopterë, anije patrulluese dhe zhytës të specializuar. Gjithashtu, bëhet e ditur se në mesin e personave që lundronin në varkë ishin edhe dy fëmijë.