Botë e Çuditshme

E dinit se lakuriqët e natës kanë të njëjtat struktura vokale me këngëtarët e një bande muzikore mjaft të njohur?!

Adhuruesit e “Death Metal” tani mund të jenë fansa edhe të një lloji të lakuriqëve të natës. Disa lakuriq nate përdorin të njëjtat struktura vokale si këngëtarët e “Death Metal” për të bërë vokalizimet e tyre unike, ka zbuluar një studim i ri. Studiuesit në “Universitetin e Danimarkës Jugore” hetuan teknikat e krijimit të zhurmës së lakuriqit të natës të llojit “Daubenton”, një specie e vogël e gjitarëve me krahë që gjendet në Evropë dhe Azi.

Studimi, i botuar para disa ditësh në revistën “PLOS Biology”, fokusohet në strukturat e ndryshme të laringut, e njohur gjithashtu si kutia e zërit, që lakuriqët përdorin për të zgjeruar gamën e tyre vokale. Komunikimi vokal është thelbësor për lakuriqët e natës, ata përdorin tingullin për të lundruar në rrethinën e tyre dhe për të gjetur prenë e tyre në një proces të njohur si ‘echolocation’. Krijesat fluturuese përdorin gjithashtu tinguj për të komunikuar në mënyrë shoqërore.

Lakuriqët e natës që përdorin ‘ekolokacion’ kanë një gamë vokale mbresëlënëse me shtatë oktavë për t’iu përshtatur nevojave të tyre të zërit, thanë studiuesit. Për krahasim, shumica e gjitarëve, përfshirë njerëzit, kanë një gamë vokale prej tre deri në katër oktava. Lakuriqët e natës përdorin tinguj jashtëzakonisht të lartë për të bërë jehonë, por përdorin rënkime me zë të ulët për të komunikuar me njëri-tjetrin.

Shkencëtarët filluan të kuptojnë saktësisht se si lakuriqët e llojit “Daubenton” maksimizojnë gamën e tyre vokale. Ekipi hulumtues nxori laringjet e pesë lakuriqëve të natës që ishin eutanizuar dhe filmoi organet duke aplikuar rrjedhën e ajrit për të imituar frymëmarrjen natyrale. Kjo i lejoi shkencëtarët të vëzhgonin drejtpërdrejt membranat vokale dhe palosjet ventrikulare, të quajtura gjithashtu “palosje vokale të rreme”, duke vibruar në frekuenca të ndryshme.

Këto janë “vëzhgimet e para të drejtpërdrejta” të këtyre strukturave vokale në lakuriqët e natës së Daubenton, thanë studiuesit. Coen Elemans, autori kryesor i studimit dhe një profesor i biologjisë në “Universitetin e Danimarkës Jugore”, në një njoftim për lajme tha:

Ne identifikuam për herë të parë se cilat struktura fizike brenda laringut lëkunden për të bërë vokalizimet e tyre të ndryshme. Për shembull, lakuriqët e natës mund të bëjnë thirrje me frekuencë të ulët, duke përdorur të ashtuquajturat ‘palosje vokale të rreme’ , ashtu siç bëjnë këngëtarët e “Death Metal”.