Celebrities Pardon My French

E mendon pjesëmarrjen në ‘Big Brother VIP’? Anna Lika rrëfen gjithçka për TAR!

E ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Pardon My French’ ishte aktorja e njohur Annais Lika. Bukuroshen e kemi parë shpesh në formate televizive, filma dhe në shumë shfaqje teatrale ku ka lëvruar zhanre të ndryshme nga ato humoristike e deri te ato dramatike. E jo vetëm kaq, por Anna është gjithashtu një balerinë profesioniste. Arti te ajo nuk është i lindur rastësisht pasi dhe dy tezet e saj janë shumë të njohura për publikun, bëhet fjalë për Ingrit dhe Inis Gjonin.

Fillimisht, Anna na tregoi se me cilën prej tezeve të saj është më e lidhur.

Ndoqa rrugën e Inisit për shkollë baleti dhe të Ingridit për aktrim. Të rritesh në një familje që merret vetëm me art do s’do ti nuk bën dot gjë tjetër. Tezja e preferuar është Ingriti nuk është e fshehtë kjo. Është po ajo që më kritikon më shumë, më ka bërtitur tërë jetën për shoqërinë që kam përzgjedhur. Inisi më kritikon nga ana profesionale. Kam çik ndrojtje ndaj Inisit se e kam pasur dhe pedagoge.

Për sa i përket anës profesionale, a e sheh Anna veten si pjesë të televizionit dhe dukeqenëse ka qenë shpesh e ftuar në programin më të përfolur të humorit ‘Portokalli’, a e mendon ajo veten një ditë pjesë të saj.

Unë e dashuroj teatrin, jam aktore shumë e mirë dramatike. Në vitet e Akademisë më janë dhënë role shumë të rënda dramatike, pjesën që bëj për të qeshur të tjerët e kam vet. Unë do zgjidhja gjithmonë teatrin. E provova televizionin, por mendoj se njerëzit nuk duhet të dalin nga profesioni i tyre. Shkoj si e ftuar në ‘Portokalli’ sepse jam shumë komode duke punuar me Xhodën, nuk e mendoj si një kontratë afatgjatë, nuk e shoh si një punë timen. Nuk e mendoj veten në një format të tillë.

E për sa i përket marrëdhënies së saj shoqërore dhe profesionale me aktorin e njohur Xhoda që shpesh nuk ngurrojnë të na e tregojnë në rrjete sociale se sa e mirë është, Anna na foli më shumë lidhur me këtë.

Xhoda është i vetmi njeri që dhe kur jam gabim nuk ma prish. Me Xhodën kam komplet një marrëdhënie tjetër, është më e mira që mund të ekzistoj.

A ka marrë Anna një ftesë për të qenë pjesë e ‘BBV’ dhe a e mendon ajo ndonjëherë pjesëmarrjen në këtë ‘reality-show’?

Unë ‘BBV’ nuk e kam ndjekur dot, por kam dëgjuar kudo. Më erdhi propozim për këtë sezon. Nuk do të merrja pjesë sepse njoh shumë mirë veten time, nuk dua të prish marrëdhëniet me asnjë lloj njeriu.

Padyshim që aktorja nuk mund të mos pyetej dhe për jetën e saj personale dashurore, pasi është përfolur shpesh në media për këtë.

I dashuri im nuk është futbollist (qesh). Unë e kam shumë qejf familjen. Mendoj që kur mendon që të krijosh një familje dhe të sjellësh në jetë një qenie tjetër duhet të kesh shumë gjëra në terezi, anën financiare, punën, duhet t’i kesh shumë për terezi gjërat.