Botë e Çuditshme

E reja koreane vret një grua vetëm sepse donte të dinte si është të masakrosh një njeri!

Një vajzë e re koreane, e fiksuar pas historive me krime, ka pranuar se ka vrarë dhe prerë një grua thjesht për ta ditur se si është në të vërtetë të masakrosh një njeri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Busan të Koresë së Jugut. 23-vjeçarja Jung Yoo-jung tashmë po i nënshtrohet testimeve për të përcaktuar nëse mund të konsiderohet psikopate.

“Jung e kishte planifikuar mirë krimin, donte të vriste me patjetër dikë pasi u fiksua me dokumentarët me vrasës serial dhe librat me krime”,-tha një zëdhënës i policisë për mediat koreano-jugore. Policët gjetën në celularin e 23-vjeçares se kishte vizituar shumë faqe ku të mësonin se si të fshihje një kufomë.

Pasi e vrau me thikë gruan, Jung e ndau në copa trupin e viktimës dhe i futi disa pjesë në valixhe. Më pas, hipi në një taksi dhe valixhen e hodhi në lumë. Ndërkohë që, për ta bërë të dukej si zhdukje, mbajti celularin, kartën e identitetit dhe portofolin e gruas që kishte vrarë. Por, taksistit iu ngjallën dyshime dhe njoftoi policinë menjëherë pasi e reja zbriti nga taksia. Autoritetet thanë se Jung jetonte e vetmuar dhe ishte izoluar nga shoqëria, pasi nuk kishte gjetur dot punë që kur kishte mbaruar shkollën.