Aktualitet Sport

Edicioni i 2-të i Tiranathlon, shpallen fituesit!

Me shpalljen e fituesve, sot në Tiranë u mbyll edicioni i dytë i Tiranathlon, eventit sportiv që bashkon tre disiplinat më të njohura e të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm dhe vrap.

Çmimet e Tiranathlon 2022:

Sprint Triathlon – Djem

1.Panagiotis Bitados
2.Panagiotis Polyzos
3.Louis Woodgate

Sprint Triathlon –  Vajza

1.Stefania Polychroniadis
2.Magdalena Stankovska
3.Danae Makridaki

Olympic Triathlon – Djem

1.Ognjen Stojanovic
2.Ivan Trpchevski
3.Stavros Andreqi

Qindra sportistë vendas e të huaj, të cilët garuan për tre çmime në secilën prej disiplinave, e nisën garën nga Parku i Liqenit të Farkës në orën 08:00, për ta mbyllur në mesditë. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e trigarëshit, kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se “Tirana po kthehet në shembull të organizimit të eventeve të përmasave evropiane e madje po ia del më mirë se kryeqytetet e mëdha dhe të zhvilluara sot në Evropë”.

Ishte një organizim fantastik! Dua të falënderoj vullnetarët, Policinë e Shtetit, Policinë Rrugore, Policinë Bashkiake, gjithë stafin e Bashkisë së Tiranës, dhe të gjitha kompanitë që u përfshinë. Dje ishte një moment special sepse në Paris po zhvillohej finalja e UEFA Champions League, e cila filloi një orë me vonesë. 15 mijë vetë hynë pa bileta e të gjithë tifozët e botës po thonin: “Nuk e organizon më mirë një event për sportin, siç e bën Tirana”.

Sot, Tirana është numri një në të gjitha organizimet sepse nuk është çështje parash, nuk është çështje madhësie ekonomike, nuk është çështje popullsie, është çështje përkushtimi dhe skuadra jonë, duke filluar nga Kosta dhe Ambasada Greke, deri tek vullnetarja jonë më e vogël Kei, ka përkushtimin, disiplinën dhe dëshirën për të bërë diçka të bukur në Tiranë.

Ndërkohë, Veliaj veçoi faktin se mes sportistëve nga 14 shtete të ndryshme, si Austri, Belgjikë, Gjermani, Greqi, Itali, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi, Turqi, Britani e Amerikë, morën pjesë dhe atletë nga Ukraina.

Tiranathlon është një organizim i përbashkët i Bashkisë së Tiranës me Ambasadën e Greqisë në Tiranë, që me këtë aktivitet mbylli dhe Javën Greke në kryeqytet.  Për shkak të këtij organizimi, pati edhe një pezullim të trafikut në disa rrugë kryesore të Tiranës, si edhe mosfunksionim të disa linja autobusësh.