Sport

Egnatia-Partizani, për një kismet të ri!

Vit i ri, kismet i ri për Partizanin dhe Egnatian, dy skuadra që e nisin 2022 me shpresën dhe besimin për të bërë një vazhdimësi të sezonit ndryshe, sidomos të kuqtë. Pas humbjes në derbi dhe distancës së konsiderueshme me kreun, të kuqtë ndanë rrugët me Ilir Dajën duke i dhënë besim Dritan Mehmetit, një emri të shtëpisë që njeh mirë ambientin dhe që kërkon ti japë një marsh më tepër ecurisë skuadrës.

Ambiciozë në merkato, ku deri më tani Partizani ka bërë disa nga lëvizjet më të bujshme, me afrimin e Kallakut, Skukës dhe rikthimin e Bitrit, të kuqtë duan rezultat duke nisur nga kjo transfertë me Egnatian, që pavarësisht një nisjeje të mirë të sezonit, në javët e fundit të 2021 shënoi një seri humbjesh, edhe pse në takimin e fundit ja doli të fitonte ndaj Teutës, dhe tani renditet në vendin e parafundit të klasifikimit.

Interes për të parë dy skuadra me ndryshime në stol dhe jo vetëm, në kampin e kuq projektohen titullarë nga fillimi Eneo Bitri për të formuar dyshen e qendrës së mbrojtjes me Belicën, dhe Skuka që si qendërsulmues i jep mundësi Sten Junior dhe Carës të luajnë nga krahët e sulmit.

Por nuk do të mund të jetë për këtë sfidë Sherif Kallaku, që për motive afatesh proceduriale nuk mund të federohet zyrtarisht para kësaj sfide duke kompletuar lejen e huazimit nga Lokomotiva e Zagrebit.

Egnatia ndërkohë në këtë merkato dimri ka përjetuar një spastrim të vërtetë me largimin e shumë lojtarëve. Por lajmi i mirë për Zekeria Ramadanin që ka patur mundësinë gjatë pauzës të punojë me më tepër qetësi, është rikthimi i dy elementëve të rëndësishëm, që mund të konsiderohen pa frikë si blerje të mëdha.

Kjo gjë duke nisur nga braziliani Pedro Augusto, dëmtimi dhe mungesa e të cilit përkoi me dishezën e rrogazhinasve, ndërkohë që në dispozicion është Agbekpornu, prezenca e të cilit në mesfushë merr edhe më tepër rëndësi si pasojë e mungesës së Bruno Telushit, që humbet sfidën me ish skuadrën e tij.