Aktualitet

Ekzekutohet polici në Lezhë, kishte informata për parcelat me kanabis!

Një oficer policie u ekzekutua me armë zjarri ndërsa ishte në krye të detyrës, gjatë një operacioni anti-kanabis, në Vain të Lezhës. Nga raportimet paraprake mësohet se në orët e para të mëngjesit, një grup efektivësh të anti-drogës po kontrollonin në zonë për parcelat me bimë narkotike kur u sulmuan me armë zjarri. Për pasojë mbeti i vdekur oficeri i krimeve, Saimir Hoxha. Trupi i pajetë i 45-vjeçarit u gjet në një kanal të zonës. Me origjinë nga Puka e baba i dy fëmijëve, Hoxha mund të jetë qëlluar nga një distancë e afërt. Ai jetonte me familjen në Tiranë.

Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Aldo Rama.

 

Njoftimi i Policisë:

Falë veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Autori i dyshuar është shtetasi Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale.

Gjithashtu, mësohet se i riu e braktisi makinën me të cilën u arratis, 1 km larg vendngjarjes. Një helikopter i Ministrisë së Brendshme po patrullon zonën.

Për krimin reagoi Presidenti i Republikës, Ilir Meta:

Në këto momente të vështira bashkëndaj dhembjen dhe ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve dhe të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit! Nxis organet ligjzbatuese, në veçanti Prokurorinë për hetimin e rrethanave dhe intensifikimin e përpjekjeve për kapjen sa më parë të autorëve të këtij akti kriminal, për t’i nxjerrë ata para drejtësisë dhe dhënien e një ndëshkimi të ashpër ligjor.

Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë!

Në Komisionin Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, deputetët demokratë Flamur Noka dhe Ervin Salianji kërkuan të mbahej një minutë heshtje për policin e vrarë sot në Lezhë, në krye të detyrës.

Kryetari i Komisionit, Nasip Naço tha se i shprehin ngushëllimet familjarëve dhe kërkoi që kjo ngjarje, të cilën e cilësoi ndër më të rëndat, të mos përdoret për kapital politik.