Bota Tech

Elon Musk heq dorë nga blerja e Twitter-it/ Kompania do ta padisë!

Oferta e zhurmshme prej 44 miliardë dollarësh e Elon Musk-ut për të blerë Twitter-in po shkon në prag të dështimit, pasi shefi ekzekutiv i Tesla-s i dërgoi një letër bordit të kompanisë Twitter, ku kërkonte të hiqte dorë nga blerja. Si arsye, përmendi dështimin nga ana e Twitter-it për t’i dhënë informacion të mjaftueshëm mbi numrin e llogarive false në këtë platformë. Twitter u përgjigj menjëherë, duke paralajmëruar se do ta padisë Muskun, që ta detyrojë t’i përmbahet kushteve të marrëveshjes.

Kompania mund të ishte mjaftuar me një gjobë prej 1 miliard dollarësh, në rast prishjeje të marrëveshjes, por në vend të kësaj, Twitter-i njoftoi se “do të luftojë për të përfunduar blerjen”, të cilën bordi i kompanisë e ka miratuar dhe shefi ekzekutiv i saj Parag Agrawal këmbëngul se dëshiron ta realizojë. Në një letër drejtuar bordit të Twitter-it, Mike Ringler, avokat i Muskut, ankohet se për gati dy muaj, klienti i tij kërkoi të dhëna rreth llogarive “të rreme ose të padëshiruara”, në platformën e medias sociale.

Twitter-i dështoi ose refuzoi ta japë këtë informacion. Ndonjëherë Twitter-i i ka shpërfillur kërkesat e Musk-ut, ndonjëherë i ka refuzuar ato për arsye që duken të pajustifikuara e ndonjëherë ka pretenduar se është pajtuar me to, duke i dhënë Musk-ut informacion të paplotë apo që nuk hyn aspak në punë. Informacioni është thelbësor për rendimentin e kompanisë Twitter, si dhe i nevojshëm për të përfunduar blerjen.

Si përgjigje ndaj këtij vendimi, kryetari i bordit të Twitter-it, Bret Taylor, shkruan:

Bordi është i përkushtuar të mbyllë transaksionin për çmimin e kushtet e rëna dakord me zotin Musk dhe kanë në plan të ndjekin veprime ligjore për të mbyllur marrëveshjen e bashkimit. Ne kemi besim se do të triumfojmë në Gjykatën e Delaware-it.

Ky është zhvillimi më i fundit i një sage mes njeriut më të pasur në botë dhe një prej platformave më me ndikim të medias sociale. Pjesa më e madhe e dramës është zhvilluar në Twitter, ku Musk, i cili ka rreth 100 milion ndjekës, ankohet se kompania nuk po arrin të përmbushë potencialin e saj si një platformë e fjalës së lirë.