Bota

EMA i jep miratimin vaksinës anti-COVID të Novavax-it!

Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA, rekomandoi sot përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga kompania me bazë në Shtetet e Bashkuara, Novavax. Këtë vaksinë do të mund ta marrin personat mbi 18-vjeç.

Sapo t’i jepet OK nga Brukseli zyrtar, vaksina e kësaj kompanie do të jetë e pesta kundër koronavirusit në bllokun europian. Të dhënat nga dy studime të mëdha kanë treguar se vaksina është efikase rreth 90 për qind kundër koronavirusit, ndonëse ende nuk dihet efekti i saj ndaj disa varianteve të COVID-it, përfshirë Omicron-in.

Numri i personave të infektuar me koronavirus ka prekur shifra rekorde në disa vende në Europë, kryesisht për shkak të Omicron-it. Kompania Novavax pritet të kërkojë miratim për përdorim të vaksinës së saj edhe në Shtetet e Bashkuara.

Novavax dhe BE-ja kanë arritur marrëveshje paraprake në dhjetor të vitit 2020, por për shkak të çështjeve të prodhimit, kontrata finale për 200 milion doza është nënshkruar në muajin gusht të këtij viti.

Kompania ka thënë se do të nisë dorëzimin e dozave të vaksinës në janar të vitit të ardhshëm. Aktualisht në BE jepen vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech, AstraZeneca, Moderna dhe Johnson&Johnson.