Rajoni

Fati i zgjedhjeve të 18 dhjetorit në veri, qeveria e Kosovës pret vlerësimin për sigurinë!

Zgjedhjet në veri të Kosovës, qeveria pret vlerësimin e situatës nga organet e sigurisë para se të vendosë për hapat e mëtejshëm. Në një postim në “Facebook”, zëdhënësi Përparim Kryeziu, shkruan:

Institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri!

Zgjedhjet në katër komuna me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan, u shpallën pasi në fillim të nëntorit, kryetarët e tyre dhanë dorëheqje. Kjo në shenjë kundërshtimi ndaj planit të qeverisë së Kosovës, për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i drejtoi këto komuna, kundërshton zgjedhjet. Prishtina i dënoi incidentet e djeshme dhe kryeministri Albin Kurti paralajmëroi shtim të forcave në veri.

Krahas ambasadorit amerikan, Hovenier, më herët gjatë ditës edhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark e ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, u shprehën të shqetësuar për situatën në veri të vendit.

Po ashtu, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vunë në dukje se “në të tilla rrethana, nuk mund të punohet sipas planeve të përcaktuara”.

Nga Serbia thanë se “qëllimi i institucioneve të Kosovës është që t’i rrëmbejnë me dhunë katër komunat në veri”, ndonëse nuk sollën ndonjë provë për këto pretendime. Tensionet mes Kosovës e Serbisë nisën të rriten që në verë, kur qeveria Kurti njoftoi se në veri, nuk do të lejojë më makina me targa që i lëshon Serbia.

Duke kundërshtuar këtë plan që nisi të zbatohej më 1 nëntor, serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror. Më pas, dy vendet arritën marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina pezulloi planin për riregjistrimin e makinave. Beogradi u zotua se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.