Bota

“Femen” në aksion, aktivistet topless në Paris kundër luftës në Ukrainë!

Grupi i feministeve “Femen” godet sërish! Përsëri kundër presidentit rus, Vladimir Putin e kësaj here në krah të Ukrainës, vendit të cilit, shefi i Kremlinit i shpalli luftë më 24 shkurt ndonëse Moska nuk e njeh fjalën “pushtim”, por përdor “operacion ushtarak special”. 50 aktiviste topless zgjodhën mënyrën e veçantë për të protestuar në Paris, nën Kullën Eiffel. Kërkesa e tyre: “të ndalohet pushtimi rus!”. Në pjesën e zbuluar sikasnin ngjyrat e flamurit ukrainas dhe mbishkrimi i slloganit të llojeve: “Lavdi Ukrainës!”, “Stop luftës së Putinit!” dhe “Putin krimineli!”.

Ndërkohë, në postimet e publikuara edhe në faqen zyrtare online të grupit “Femen”, bie në sy kërkesa drejtuar Bashkimit Europian, për të qëndruar i bashkuar, në mbrojtje të Kievit.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch e cilëson “të mrekullueshëm” solidaritetin e Bashkimit Europian për njerëzit që po i ikin luftës në Ukrainë. Judith Sunderland, drejtore për Europën dhe Azinë Qendrore:

Si Bllok, Bashkimi Europian veproi me shpejtësi për t’i garantuar mbrojtje të gjithë ukrainasve dhe për herë të parë, aktivizoi një direktivë të vitit 2001. Përmes saj, krijohen mekanizma që njerëzit të qëndrojnë e punojnë, ndërsa fëmijët të shkollohen brenda Unionit, pa vonesa dhe procedura burokratike.

Por, Sunderland, shtron pyetjen se “Përse nuk është aktivizuar e njëjta direktivë në vitin 2015, kur më shumë se një milion sirianë, afganë dhe irakianë iu drejtuan brigjeve europiane?

Mos harroni që edhe kur talebanët morën kontrollin e Afganistanit vitin e kaluar, retorika europiane ishte për të mbajtur afganët në rajon dhe jo për t’iu zgjatur dorën e sigurisë.

Sipas Sunderland-it, “tani është koha që Bashkimi Europian të ndryshojë politikat e azilit dhe emigracionit, që në mënyrë jopropocionale diskriminojnë personat me ngjyrë”.

Kjo krizë na ka treguar se Europa mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme, nëse tenton.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se dy milionë banorë të Ukrainës janë larguar nga ky shtet drejt vendeve fqinje, gjysma në Poloni.