Aktualitet

“Fëmija im iku, u varros, ruajini fëmijët tuaj”, babai i Klodian Rashës flet pas vendimit të Gjykatës

Babai i Klodian Rashës është shprehur tepër i indinjuar pas vendimit të Gjykatës së Tiranës e cila dënoi sot me 15 vite burg ish-efektivin e Shqiponjave Nevaldo Hajdaraj, i cili do të vuajë 10 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Qazim Rasha tha se kjo njollë e zezë nuk do i hiqet shtetit dhe i bëri thirrje qytetarëve dhe gazetarëve të ruajnë fëmijët.

Reagimi i plotë i Qazim Rashës

“Ju kisha thënë që do vijë momenti që do t’i themi disa gjëra. Sot është momenti. Dua t’ju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format. Falënderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216-të, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet duke thirrur ‘Unë jam Klodiani’. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo. Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë të ri në rrugicën e shtëpisë së vetë.
Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli është veshur me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im është një, fëmija im ik, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve. Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj. Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar?! Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet”

Ngjarja e rëndë ndodhi në 8 dhjetor të vitit 2020 dhe që solli edhe reagimin e shoqërisë civile dhe protesta në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu kjo ngjarje e rëndë solli edhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Sandër Lleshaj.