Dilema Sociale Sociale

Fëmijët në ankth?! Denata Toçe: “Faji është i gjithi i prindërve…”

Fëmijët mund ta kenë të vështirë të kuptojnë atë çfarë shohin në internet, televizor ose atë që dëgjojnë nga njerëz të tjerë, kështu që ata mund të jenë veçanërisht më të ndjeshëm ndaj ndjenjave të ankthit, stresit dhe mërzitjes gjatë periudhës së pandemisë.

Apeli shkon drejt prindërve, të cilët janë të vetmit që duhet të kenë kujdes në mënyrën se si i trajtojnë fëmijët, për shkak se shumicën e kohës e kalojnë brenda në shtëpi. Për të folur rreth kësaj teme ishte e ftuar në programin “Dilema Sociale” psikologia, Denata Toçe.

Denada, pjesën më të madhe të kohës e kalon me fëmijët dhe gjatë intervistës në Top Albania Radio, shprehet se media nuk e ka përqëndruar vëmendjen tek stresi që mund të shkaktojnë edhe prindërit tek fëmija.

Në shumë familje shqiptare ekziston dhuna brenda saj, konfliktet mes partnerëve dhe problematika të tjera që nuk publikohen. Prandaj këto akumulohen dhe të gjitha bien mbi supet e fëmijëve.

Prindërit duhet t’i kuptojnë fëmijët në çdo rast, madje Denada sugjeron se brenda familjes duhet të krijohen edhe lojëra argëtuese që shmangin stresin tek ata.

Ky ndryshim i rutinës tek fëmijët shkakton ankth dhe stres, gjithçka ndodhet në dorën e prindërve për t’i qetësuar dhe për t’ju dhuruar një jetesë më të shëndetshme.