Aktualitet

Fitoi 2 miliardë $ nga mashtrimi me kriptomonedhat, kërkohet ekstradimi i Faruk Ozer!

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njofton se ditën e sotme ka sot depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan kërkesën për ekstradimin në Turqi të shtetasit turk Faruk Fatih Ozer, i cili akuzohet për mashtrim me kriptomonedhat.

Autoritetet turke të drejtësisë kanë transmetuar përmes Ministrisë së Drejtësisë materialet e plota që kanë të bëjnë me kërkesën për ekstradim në Turqi të shtetasi Faruk Fatih Ozer, në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Paqit e Shkallës së Parë Nr.7 në Stambollin Anadollian me vendimin datë 07.05.2021 ka caktuar ndaj këtij personi masën e sigurisë “Arrest në burg” për disa vepra penale të kryera në Turqi.

I riu u arrestua më 30 gusht të këtij viti teksa ishte duke pushuar në plazhin e Himarës. Shtetasi turk, themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliardë dollarësh nga 391 mijë investitorë.

Ozer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, ndërsa Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar ndaj tij urdhër arresti në vitin 2021, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

I riu turk, kishte mbërritur në Shqipëri më 20 prill 2021, përpara se autoritetet e vendit të tij të viheshin në lëvizje. Një ditë më pas, në platformën Thodex, investitorët lexuan një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit “për shkak të një investimi të rëndësishëm”. Ky njoftim, i vuri ata në alarm, pasi nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre. Më 23 prill 2021, autoritetet turke arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim.