sport

Fitoret e Realit ndaj Barcelonës kanë filluar të ndryshojnë kahun e statistikave…

Real Madrid ka bërë të vetën Superkupën e Spanjës, duke mundur me shifrat 4-1 në finale Barcelonën me një leksion të mirëfilltë për katalanasit që gabuan thuajse gjithçka. Taktika e zgjedhur nga Xavi me mbrojtjen e lartë rezultoi e gabuar pasi kundërzbritjet e madrilenëve sollën dy gola të shpejtë me Vinicius, duke vulosur praktikisht fatin e sfidës. Goli i Lewandowskit u duk se po hapte ndeshjen, por penalltia e Vinicius ktheu përsëri në avantazh të dy golave madrilenët në fundin e pjesës së parë. As ndryshimet e Xavit në pjesën e dytë nuk bënë punë, pasi Rodrigo shënoi edhe golin e katërt për Realin, ndërsa Araujo praktikisht i dha fund ëndrrave për përmbysje kur la skuadrën e tij me 10 lojtarë. Kështu, Reali fitoi Superkupën për herë të 13 në histori, duke regjistruar njëkohësisht ndeshjen e 21-të zyrtare radhazi pa humbje.

Era ka ndryshuar drejtim në Spanjë dhe ajo po fryn nga Madridi. Nga viti 2008 deri në vitin 2019, Barcelona ishte zot në “El Clasico”. Faza më e shkëlqyer në historinë e klubit katalanas u pasqyrua në rezultatet ndaj Realit, i cili mundi të fitonte vetëm 10 nga 39 ndeshje. Por duke filluar nga viti 2020, skuadra e bardhë ka gjetur formulën të ndryshojë rolet duke u kthyer nga e ndjekëse në e ndjekur. I tillë ka qenë revolucioni për Realin e Madridit që mund të mburret se ka arritur serinë më të mirë të rezultateve (fitoreve) kundër Barcelonës në pothuajse 60 vjet.

Nga 13 ndeshjet e fundit mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, Reali i Madridit ka fituar 9 takime, duke shënuar 27 gola dhe pësuar 18. Për të gjetur një ecuri të ngjashme të sukseseve të “los blancos” kundër Barcelonës duhet të kthehemi në vitet ’60. Asokohe madrilenët fituan 10 duele nga 13 të luajtura. Një pjesë e këtij suksesi qëndronte në 7 fitoret radhazi që ata arritën në periudhën 1962-1965, momenti i tyre më i mirë historik në “El Clasico”.