Aktualitet

“Flasim”, kryeministri Rama me “Zogj të Shqipërisë turistike”: Kemi aplikim serioz për Sazanin!

Në Episodin e 9-të, të sezonit të 3-të të Podcast-it FLASIM, të titulluar “Zogj të Shqipërisë turistike”, kryeministri Edi Rama kishte ftuar një grup të rinjsh që shërbejnë në pikat agroturistike më të frekuentuara në vend. Duke i prezantuar, Rama u shpreh:

Janë ata që me të gjitha mjetet në dispozicion, “Zogj të Shqipërisë turistike”, për të mikpritur miqtë dhe për t’u ofruar atyre një mikpritje që të jenë aq mbresëlënëse, sa të kthehen përsëri.

Për Alfredin e “Rapsodisë” në Lezhë, Rama u shpreh se kishte pasur fatin t’i provonte shijet e produkteve.

Lezha ka një sërë ustallarësh të kuzhinës që kanë bërë stazhin në Itali si emigrantë, për t’u kthyer e për ta shndërruar Lezhën në destinacion kulinar të posaçëm.

Tjetër të ftuar, Rama kishte Kejsin e traditës së Beratit, e cila vjen nga një traditë familjare e mirënjohur në fushën e agroturizmit, duke filluar nga vera.

I ftuari tjetër ishte Kelmendi, nga “Valbona magjike që sot është kthyer në një destinacion gjithnjë e më i lakmuar, falë jo vetëm mrekullisë së natyrës, por edhe falë edhe disa protagonistëve si Kelmendi”.

Të ftuar nga kryeministri në tryezën e tij të bisedës ishin edhe Klesi nga Elbasani e Aldo nga Vlora. Rama informoi se pagat në vend janë rritur në të gjithë sektorët, jo vetëm në turizëm.

Shqetësimi kryesor nuk është sa paguhen njerëzit në turizëm, por problem është sa shumë vende pune do të hapen në vijim nga kjo industri e sa shumë njerëz duhen për të punuar në këto vende pune. Nuk e kemi sfidën e rritjes së pagave, pasi trendi i pagave është në rritje, sidomos pasi i rriti qeveria, pagat në privat kanë kërcyer shumë lart.

Miti që në Shqipëri do të vdesësh për bukë është i rremë, veçanërisht në sektorin e turizmit. Në zona të tjera të ekonomisë ka paga që duhet të rriten, pavarësisht se minimalja ka shkuar në 400 euro. Kemi nevojë për cilësi për të ngritur nivelin, sepse duhet të kemi të gjithë parasysh si ta bëjmë turistin të rikthehet.

Kryeministri bëri të ditur edhe se qeveria ka në plan uljen e tatimfitimit të të ardhurave për ata punonjës me paga më të larta. Njëkohësisht, informoi se nuk do të ketë rritje taksash për këtë sektor.

Po përgatisim një paketë të re për të gjithë ata që kthehen të investojnë në agroturizëm, që do të jetë “Agroturizmi”. Ne, jo vetëm nuk do të rrisim taksat, por kemi një projekt, nga qershori do ta materializojmë, për të ulur tatimfitimin e të ardhurave për ata që kanë pagat më të larta si punonjës. Një nga arsyet është se nuk mund t’i vëmë ne më shumë taksa njerëzve nëse nuk i japim shërbime më të mira. Për këtë nivel shërbimesh, sot për sot nuk mund të pretendojmë të vëmë më shumë taksa.

Shefi i qeverisë foli edhe lidhur me kërkesën për investim në Sazan nga një grup i njohur ndërkombëtar i kryesuar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Kemi një aplikim për Sazanin. Eshtë aplikim serioz nga një grup i njohur. Por, ama procesi i investimeve kërkon kohë.

Rama bëri të ditur se pati edhe 4-5 kërkesa të tjera vitet e fundit, po për investime në Sazan, por se janë refuzuar nga ana e qeverisë për shkak se ndërhynin shumë në mjedis.

Kemi pasur kërkesa këto vite. Por, në prezantimin e tyre, ju kam thënë: Jo! Nuk duam të ndërtojmë një gjë që e gjen në çdo vend në Shqipëri. Duam të jetë një destinacion ku natyra të jetë aseti kryesor dhe zhvillimi aq i cilësisë së lartë, ku e para të fshihet në natyrë dhe e dyta, të krijojë një model të një turizmi që sjell shumë të ardhura, të funksionojë si tërheqje për ekonominë.

Nga ana tjetër, kryeministri e vlerësoi si reklamë të mirë për vendin shprehjen e interesit nga grupi i kryesuar nga Kushner. Për këtë, tregoi edhe një bisedë me një mik të vetin nga SHBA-të, i cili e kishte telefonuar për ta pyetur nëse ishte i vërtetë lajmi i botuar në të gjitha mediat amerikane.

Më tha se edhe po nuk erdhën, zhurma që është bërë këtu në media dhe fama që kanë ata do të sjellin shumë njerëz. Dje ishte publikuar në Francë. Të gjitha këto nuk i paguan me miliona me reklamë. Investime të tilla në Shqipëri fuqizojnë të gjithë industrinë.

Kryeministri Rama u shpreh se turizmi duhet të kthehet në një magnet që ofron diversitet për turistin me çantë, ashtu si dhe për turistin që kërkon agroturizëm.