Rajoni

FMN rrit në 3.8% parashikimin e rritjes ekonomike për Kosovën!

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që Kosova të ketë rritje ekonomike prej 3.8% për vitin 2023. Huadhënësi global ka njoftuar se ka rritur projeksionin nga prilli me 0.3%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi raportin e “Perspektivës Globale për Tetor 2023”, duke prezantuar projeksionet e fundit për rritjen ekonomike të Kosovës dhe zhvillimet e tjera ekonomike globale. Në dokument theksohet se “rimëkëmbja globale mbetet e ngadaltë”.

Kujtojmë se vitet e fundit, Kosova është përballur me një sërë sfidash në fushën e zhvillimit ekonomik. Ndikuar edhe nga situata post-pandemike e lufta në Ukrainë, Kosova, ndër vendet më deficitin më të madh tregtar e një ekonomi të euroizuar iu ekspozua ndjeshëm krizës globale.

Me gjithë sfidat e shumta me inflacionin, stagnimin drastik të rritjes reale ekonomike gjatë vitit të kaluar, realizimin e ulët të investimeve kapitale dhe rëndimin e deficitit tregtar, “rritja ekonomike e Kosovës” ishte një nga “argumentet” e përdorura më së shpeshti nga qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

Parashikimi bazë i raportit të fundvitit është që rritja globale të ngadalësohet nga 3.5% më 2022-shin në 3.0% në 2023 dhe 2.9% më 2024-ën. Raporti i FMN-së parashikon edhe rënien e rritjes globale në nivel botëror.

Sipas projeksioneve, rritja ekonomike botërore do të ngadalësohet nga 3,5% më 2022-shin në 3% këtë vit dhe 2,9% vitin e ardhshëm, një rënie prej 0,1 pikë përqindjeje për vitin 2024 nga korriku.

Kjo tregon se ekonomia globale po përjeton sfida nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë pasojat e pandemisë dhe konfliktet në botë.

Ekonomitë e zhvilluara pritet të ngadalësohen më tej. Projeksionet e FMN-së tregojnë një zvogëlim të rritjes ekonomike nga 2.6% në vitin 2022 në 1.5% në vitin 2023 dhe 1.4% në vitin 2024.

Inflacioni pritet që të ngadalësohet për 4.7% në vitin 2023 nga 11.7% nga viti paraprak, para se të bie në 3.1% më 2024-ën.