Bota

Forcat ukrainase përparojnë në luftën me rusët në lindje!

Zyrtarët ukrainas thanë se kanë larguar forcat ruse nga disa zona përreth qytetit kyç të Ukrainës, Kharkiv. Tashmë, fshatrat Çerkaski, Tishki, Ruski Tishki, Borshçova dhe Slobozhanske janë nën kontrollin ukrainas. Ky zhvillim në verilindje të Ukrainës po ndodh, ndërsa operatori i gazsjellësit në vendin e pushtuar tha sot se do të pezullojë dërgesat ruse përmes një tubacioni kyç në lindje të vendit.

Operatori i gazsjellësit njoftoi se dërgesat ruse përmes qendrës së tij Novopskov, që gjendet në një zonë të kontrolluar nga separatistët pro-rusë ndërpriten nga data 11 maj. E njëjta qendër menaxhon pothuajse një të tretën e të gjithë gazit që kalon nga Ukraina për në Europën Perëndimore. Ndërkaq, gjiganti i gazit natyror rus, Gazprom, bëri të ditur se gazi që kalon përmes këtij gazsjellësi përbën një të katërtën e sasisë që shkon për në Europën Perëndimore.

Ukraina vazhdoi të ishte rrugë e rëndësishme për gazin rus në Europë, edhe pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt. Operatori deklaroi se do të ndalë transportimin e gazit për shkak të ndërhyrjeve nga “forcat pushtuese”. Ukraina informoi se do të ndryshojë rrugën e dërgesave të gazit nga pika e tranzitit Sokranivka, zonë e kontrolluar nga forcat ruse, për në një tjetër të kontrolluar nga Ukraina. Por, zëdhënësi i Gazpromit, Sergei Kupriyanov tha se kjo do të ishte “e pamundur në aspektin teknologjik”.

Ndërkaq, presidenti Volodymyr Zelenksy bëri të ditur se “gradualisht, ushtria ukrainase po largon forcat ruse nga Kharkivi”, ndërsa ministri i tij i Jashtëm, Dmytro Kuleba, shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se “Ukraina mund të detyrojë Rusinë të largohet nga zonat që ka pasur nën kontroll para se të niste pushtimin më 24 shkurt”.

Për “Financial Times”, Kuleba deklaroi se “fitorja fillestare do të ishte tërheqja e forcave ruse nga pozicionet e siguruara para pushtimit të 24 shkurtit”. Por, forcat ruse u përqendruan në rajonin lindor të Donbasit, pasi dështuan që të merrnin Kievin.

Tani ne kemi një front të fortë ushtarak e do ta fitojmë betejën për Donbasin, që do të jetë thelbësore për dinamikat e ardhshme të luftës, sigurisht do të përbënte fitore për ne dhe do të mundësonte çlirimin e territoreve të tjera tona.