Bota

Franca në flakë për pensionet, protesta në disa qytete: Digjet komisariati!

Trazirat mbushën rrugët e qyteteve të Francës pas miratimit që Gjykata Kushtetuese i bëri reformës së pensioneve, që do të rrisë moshën e tërheqjes nga 62 në 64 vjeç.

Në Paris, disa protestues dogjën kontejnerët e mbeturinave dhe u arrestuan 112 persona.

Por demonstrata të improvizuara dhe kryengritje pati edhe në qytete të tjera si Marsejë, Lion, Nantë dhe Rene. Në këtë të fundit, një komisariat policie u bastis dhe u dogj.Sindikatat kanë bërë thirrje për një demonstratë madhore më 1 maj.

“Kjo është hera e parë që të gjitha sindikatat së bashku u kanë bërë thirrje punonjësve që të ngrenë krye dhe rrjedhimisht vala e protestës do të jetë e paprecedent”, tha Sophie Binet, sekretare e përgjithshme e sindikatës CGT.

Sidoqoftë, tani qeveria mund t’i kalojë planet jopopullore të presidentit Macron për rritjen e moshës së pensionit në fillim të javës së ardhshme, në mënyrë që të hyjë në fuqi brenda vitit.

Franca është tronditur prej muajsh nga protestat për reformën e kontestuar të pensioneve, e cila ka rezultuar në përleshje, dhunë të herëpashershme, zjarre, mbledhje të vonuar të plehrave dhe madje anulim të një vizite të mbretit të Britanisë, Charles III.

Me këtë reformë, për të cilën Macron dëshiron të hyjë në fuqi deri në fund të vitit, qeveria e qendrës së djathtë dëshiron të plotësojë boshllëkun kërcënues në fondin e pensioneve të vendit.