Aktualitet

Fshehu ndryshimin në emrin e babait, deputetja demokrate me mandat në rrezik!

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u depozitua ankesë në adresë të deputetes demokrate Elda Hoti. Sipas dokumenteve të dorëzuara, “është fshehur ndryshimi i emrit të babait të saj nga David Hoti, në Artan Hoti”.

Ankimi u bë në adresë të kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi ndërsa për dijeni iu dorëzua kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, kreut të SPAK-ut, Arben Kraja, si edhe ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së në Tiranë, Yuri Kim e Luigi Soreca.

Në ankimin e dorëzuar në KQZ nga një qytetar nga Kurbini, ku pretendohet se deputetja Elda Hoti ka shkelur ligjin për dekriminalizimin dhe konsumuar vepër penale, thuhet:

Kjo deputete në vetëdeklarimin e saj ka fshehur ndryshimin e emrit të babait të saj nga David Hoti, në Artan Hoti. Ky ndryshim është bërë në datë 30 prill 2002 dhe kandidatja për deputete Elda Hoti nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Duke fshehur këtë të dhënë te gjeneralitetet e saj, deputetja nuk mund të përfaqësojë komunitetin e saj në parlamentin shqiptar. Kjo deputete përse e ka fshehur këtë ndryshim, e ka harruar, apo babai i saj ka pasur një të shkuar kriminale ku është dënuar për disa vepra të rënda penale, si ajo e trafikimit të lëndëve narkotike dhe trafikim të qenieve njerëzore?

Ankesa e dorëzuar në KQZ, mban datën 13.10.2021, ndërsa deri më tani nuk ka ende një vendim prej këtij institucioni. Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës, Elda Hoti, mori mandatin pas dorëheqjes së Mark Markut.