Bota

Fundosja e anijes Moskva, Inteligjenca amerikane ndihmoi Ukrainën!

Mediat amerikane po raportojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihmuan duke ofruar Inteligjencën që asistoi Ukrainën në misionin e bujshëm për të fundosur luftanijen ruse, Moskva, muajin e kaluar. Këto raportime nga New York Times dhe NBC News, vijnë pas njoftimeve të tjera nga mediat po në Amerikë që thanë se “autoritetet amerikane kanë ofruar informacione të Inteligjencës për ushtrinë ukrainase, për të shënjestruar gjeneralët rusë në fushëbetejë”. Deri tani është konfirmuar vrasja e tetë gjeneralëve rusë gjatë luftimeve në Ukrainë, të nisura më 24 shkurt.

Këto raportime të mediave rritën frikën se Uashingtoni po ndihmon në përshkallëzimin e luftës në Ukrainë dhe mund të provokojë një përgjigje më të fuqishme nga Moska, si për shembull një shënjestrim të mundshëm të autokolonave që furnizojnë forcat ukrainase me armatime të NATO-s.

Një ditë më parë, NBC News raportoi se Shtetet e Bashkuara kishin ndihmuar në lokalizimin e Moskvas në Detin e Zi, me kërkesë të ushtrisë ukrainase. Por, sipas The Washington Post dhe Times, Qeveria amerikane nuk kishte dijeni lidhur me planet e Ukrainës. Luftanija Moskva u fundos në mes të muajit prill, pasi besohet se u godit nga dy raketa ukrainase. Moska ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se në bordin e mjetit lundrues vetëm ka shpërthyer një zjarr. Kremlini ende nuk e ka pranuar publikisht fundosjen e luftanijes Moskva, që gjithashtu rezultoi me fatalitete, pasi një numër i papërcaktuar marinarësh rusë mbetën të vrarë ose figurojnë të zhdukur.

Më 4 maj, Times shkruante se “zyrtarët amerikanë u kanë ofruar detaje autoriteteve ukrainase mbi shtabin e lëvizshëm të ushtrisë ruse”. Forcat ukrainase e kanë përdorur atë informacion për të shënjestruar oficerët rusë. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, pranoi se është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara u ofrojnë inteligjencë ushtarake forcave të Kievit, por në një deklaratë u kujdes të specifikonte se:

Ne nuk u ofrojmë inteligjencë për vendndodhjen e udhëheqësve të lartë ushtarakë në fushëbeteja dhe nuk marrim pjesë në vendimet e ushtrisë ukrainase se kë synon të shënjestrojë.