Sport

Futboll, sot miqësorja e Kombëtares me Estoninë!

Shqipëria përballet sot në orën 18:00 me Estoninë, në një takimi miqësor që do të luhet në “Air Albania” e do të transmetohet në Supersport 2. Trajneri italian Edi Reja ka bërë ndryshime të shumta, pas paraqitjeve zhgënjyese në dy takimet e Nations League ndaj Islandës e Izraelit, në të cilët morëm vetëm një pikë. Reja ka ftuar disa lojtarë të rinj si Arbnor Muçolli, Jon Mersinaj, Enis Çokaj, Simon Simoni, Kevin Haveri e Adrian Bajrami.

Sigurisht që do të ketë rotacion. Në grup ka shumë lojtarë të mirë, që luajnë në skuadra të rëndësishme në Serinë A. Pritshmëritë për të bërë mirë, janë të mëdha. Lojtarët janë të bindur. Disa prej tyre kanë pasur shumë ndeshje në këmbë. Në këtë miqësore do t’i japim mundësinë që të gjithë të aktivizohem, edhe ata që nuk kanë luajtur. Jam i bindur që do të bëjmë shumë mirë. Po ashtu jam i bindur se nuk ka nevojë të gjejmë  stimuj për të bërë një ndeshje të mirë me Estoninë.

Ndaj Estonisë do të luajmë për herë të katërt. Asnjëherë më parë nuk jemi ndeshur me të në ndeshje zyrtare, por vetëm në miqësore. Sfida e parë përkon në vitin 2003. Kuqezinjtë fituan 2-0 në kryeqytetin shqiptar, falë golave të Adrian Aliajt dhe Alban Bushit. Një vit më pas do të dilnim të pamposhtur nga transferta estoneze, (1-1) me golin tonë që e realizoi Adrian Aliaj. Ndeshja e fundit është luajtur në vitin 2009, sërish në transfertë. Dueli përfundoi në barazim të bardhë 0-0.

Muajin e kaluar u bë e ditur se Federata Shqiptare e Futbollit arriti akordin me Federatën Estoneze, që ky takim të luhet në datën 13 qershor 2022 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, duke nisur nga ora 18:00. Më parë, në këtë datë ishte planifikuar që Shqipëria të luante ndaj Rusisë në Ligën B të Nations League, por pas vendimit të UEFA-s për pezullimin e Moskës, si rezultat i pushtimit të Ukrainës e që vijon prej 24 shkurtit, FSHF-ja vendosi që të shfrytëzonte këtë datë zyrtare për të organizuar një miqësore.