Aktualitet Sport

Futbolli në zi, lamtumirë Teodor Vaso/Ikonë e Kombëtares së viteve ’60-70!

Shuhet në moshën 82-vjeçare Teodor Vaso. Një nga ikonat e Kombëtares Shqiptare të Futbollit në vitet ’60-70 është ndarë sot nga jeta. Ndërsa i shpreh ngushëllime familjes, presidenti i FSHF-së, Armando Duka e kujton si një “legjendë”, figurën emblematike për klubet e Skënderbeut, Partizanit e të 17 Nëntorit.

Mbrojtës i pakalueshëm, futbollist model dhe njeri me kontribute të mëdha në futbollin shqiptar e veçanërisht atë korçar. Ka shkruar emrin e tij me gërma të arta në histori. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Vaso, miqve dhe të afërmve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar. Të prehesh në paqe Teodor Vaso!

Për fillimet e tij në sportin ku shkëlqeu, me modesti, Teodor Vaso tregonte:

E nisa futbollin me kokën poshtë se e dija që futbolli donte punë, shumë djersë dhe sakrifica të jashtëzakonshme.

Unë e nisa futbollin me spartakiadat e shkollave të mesme teknike në Tiranë, ku vajta për t’u shkolluar. Me angazhimin dhe seriozitetin tim gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve, tërhoqa vëmendjen e shumë specialistëve të asaj kohe dhe kjo bëri që unë të gjendesha i kërkuar më vonë nga të gjitha ekipet e kryeqytetit tonë.

Ishte shumë e vështirë atëherë të vendosja me cilin ekip do luaja, se isha e ri dhe shumë gjëra ende, sinqerisht nuk i njihja. Por, ajo që kishte rëndësi për mua, ishte se kam qenë i vendosur të luaja futboll dhe arrita të luaja, si me Dinamon edhe me Partizanin, ekipe këto me peshë të jashtëzakonshme në kampionatin shqiptar.

Në të gjitha ekipet shqiptare kishte emra futbollistësh të një klasi të veçantë, por Vaso veçonte tre mbretër:

Mbreti i futbollit shqiptar ishte i paharruari Loro Boriçi, mbreti i lojës, Panajot Pano dhe mbreti i golave, Refik Resmja. Dallimi midis këtyre mbretërve është se i madhi Loro Boriçi ishte i kompletuar me të gjithë parametrat, gjatë dhe pas lënies së futbollit. Ishte futbollist shumë i madh, por u bë dhe një trajner akoma më i madh. Kështu, ai mbeti i paarritshëm si futbollist e si trajner.

Panajoti ishte i lindur për futboll dhe një fenomen i rrallë gjatë lojës. Nuk kishte ndeshje, brenda dhe jashtë Shqipërisë ku Panajot Pano të mos tërhiqte vëmendjen për lëvizjet e zgjuara, driblimet fenomenale, shkëputjet fantastike dhe gjuajtjet e befasishme në drejtim të portës kundërshtare.

Ndërsa i madhi Refik Resmja, për mua do të mbetet mbreti i golit. Refiku nuk dilte nga ndeshja pa shënuar një ose më shumë gola. Ka patur nuhatje të veçantë e të jashtëzakonshme para portës, me një fjalë ishte “Myleri i Shqipërisë”.

Në kujtimet e tij, futbollisti Teodor Vaso ka veçuar momentet më të paharruara:

Nuk do të harroj ndeshjet e Kombëtares sonë me gjermanët e Bekenbauerit kur në Dortmund, më 8 prill 1967 humbëm 6-0, ndërsa në Tiranë morëm 0-0, rezultat shumë pozitiv për ne atëherë, më 17 dhjetor 1967. Kombëtarja gjermane konsiderohej pretendente kryesore për Kupën e Botës. Por, gjermanëve u kushtoi shtrenjtë takimi me ne, se u skualifikuan dhe nuk morën pjesë në finalet e 1968-ës në Itali.  Në atë kohë, shtypi botëror kishte në epiqendër Kombëtaren shqiptare. Ne, protagonistët e atëhershëm, domosdo që ndjenim një kënaqësi të madhe e të ligjshme. Sigurisht që kam pasur edhe shumë momente të bukura, sepse karriera ime ishte e gjatë.

Me jugosllavët që i kishim në grup, në Tiranë, më 14 maj 1967, humbëm 0-2. Ndërsa në Beograd, në ndeshjen e kthimit më 12 nëntor 1967, ne humbëm 4-0 dhe ata u kualifikuan për në Itali. Duke shkuar në Beograd për ndeshjen e kthimit, kudo shihnim banderola të mëdha në rrugë, por edhe të nesërmen në stadium. Brenda një porte të madhe ishin vendosur 10 topa që donin të thonin se rezultati do të jetë 10 me 0 dhe se Xhaiçi, ylli i futbollit jugosllav të kohës do të shënonte 4 gola. Për faktin që në atë ndeshje luajta me të dhe ai nuk bëri asnjë gol, shtypi sportiv jugosllav më përmendi e më vlerësoi shumë.