Sport

Pas shortit të Euro 2024, kreu i FSHF-së Duka: Kualifikimi, objektiv real!

Pasi në shortin e hedhur në Frankfurt të Gjermanisë, sot Shqipëria njohu rivalët në eliminatoret e EURO 2024, Armando Duka theksoi se “kualifikimi është objektiv real”. Duke folur në SuperSport, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit tha se skuadra duhet ta tregojë veten në fushë, se në të kundërt, duke menduar se është një grup i lehtë, “mund të bëjmë më keq”.

I pyetur se çfarë mendon për shortin, Duka i shfaqur me trajnerin e kuqezinjve Edy Reja, deklaroi:

Të gjitha skuadrat janë të mira, i pranueshëm. Grupi B dhe C ishin të vështirë, në grupin tonë mund të luhen ndeshjet dhe mund të bësh çdo rezultat. Eshtë real objektivi për të qenë pjesë e Euro 2024.

Jeni përkrah trajnerit, cila do të jetë e ardhmja e Rejës?

Jemi për shortin dhe më pas do të diskutojmë për vazhdimin, siç e kemi bërë gjithnjë me trajnerin. Do të bisedojmë për më të mirën e Shqipërisë. Nuk mund të mendosh nga shorti që je kualifikuar, por duhet të shohësh fushën. Kur kemi marrë shortin për Euro 2016, menduam se ishte i pakalueshëm, por ia dolëm. Tani nëse mendojmë se është një grup i lehtë, atëherë do të bëjmë më keq se më parë. Janë skuadra të forta, Polonia është pjesëmarrëse në Botëror, edhe Moldavia e Ishujt Faroe janë në rritje.

Kujt i druhesh më shumë?

Moldavia dhe Ishujt Faroe kanë diferencë nga Polonia e Çekia, po të ishin më të forta do të ishte më mirë, pasi objektivi i tyre tashmë do të jetë Shqipëria.

Fitoret 1 milion euro?

Grupi me pesë është më pak impenjativ dhe nuk kam pishman për skuadrën e gjashtë për shkak të përfitimit financiar, dëshiroja të ishim në një grup me pesë.

Nga shorti i hedhur në mesditë në Frankfurt, u mësua se në Grupin E,  Shqipëria do të përballet me Poloninë, Republikën Çeke, Ishujt Faroe e Moldavinë.

Ndërkohë, Reja u shpreh:

Janë skuadra që i njohim, janë skuadra të vështira, por mund të përballemi me ta. Kemi mundësi të mira me të gjitha këto skuadra, nëse do të jemi në gjendje të mirë dhe nuk do të kemi mungesa si kohët e fundit. Polonia është e fortë, kjo dihet, por do të garojmë me Çekinë për vendin e dytë.

Duhet të jemi të kënaqur me këtë grup, pasi shmangëm emra të mëdhenj. Edhe Çekinë e njohim, pasi jemi përballur me ta në miqësore vitin e kaluar. Por, ne do të hasim vështirësi nëse do të luajmë si vitin e kaluar. Duhet të shmangim gabimet e ndeshjeve të fundit.