Aktualitet

Gazeta e njohur britanike u bën jehonë thesareve turistike të Shqipërisë!

Viti 2023 ishte një vit mbreslënës për sa i përket numrit të turistëve të huaj që vizituan vendin tonë, sidomos dhe gjatë periudhës së pushimeve. Dhe jo pak herë, Rama e ka theksuar këtë fakt gjatë vitit të kaluar.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar nga  “Mirror”, e cila promovon Shqipërinë.

“Edhe gazeta e njohur britanike “The Mirror” u bën jehonë thesareve turistike të Shqipërisë duke nisur nga muzetë e kryeqytetit, amfiteatrit romak të Durrësit, për të zbritur në plazhet e rivierës, pasuritë arkitekturore të Gjirokastrës e për të zbuluar më në brendësi të vendit liqenin e Bovillës apo Parkun e Alpeve”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “për herë të parë Shqipëria është vendosur në raportin e ABTA – shoqata britanike e turoperatorëve dhe udhëtimeve – si një nga 10 vendet që duhen vizituar këtë vit”.

“Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është kozmopolit me muzetë interesantë. Qyteti i dytë më i madh në vend, Durrësi ofron një amfiteatër romak dhe bukuri të tjera arkeologjike, ndërsa zona e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Gjirokastra shfaq pasuri arkitekturore. Shumica e britanikëve do të shkojnë në Rivierën Shqiptare. Saranda ofron plazhet dhe resortet më të bukura me çmime të përbllueshme”, thuhet në shkrimin e “Mirror”.