Aktualitet

Gërdeci, nis gjyqi për Fatmir Mediun, SPAK kërkon 71 dëshmitarë; mes tyre dhe Shkëlzen Berisha

Prokuroria e Posaçme i kërkon Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit të marrë në pyetje Shkëlzen Berishën si dëshmitar në gjyqin ndaj Fatmir Mediut për masakrën e Gërdecit të 15 marsit 2008.

Ish ministri i Mbrojtjes akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në “fabrikën” e demontimit të armëve ku humbën jetën të paktën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Kërkesa u paraqit sot (22 shtator 2023) në Gjykatën e Posaçme e cila zhvilloi seancën e radhës ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu pas tërheqjes së tij nga gjykimi i shkurtuar dhe pranimin e vijimit të një procesi të zakonshëm gjyqësor, vendim i marrë më 8 shtator 2023.

Prokuroria paraqiti kërkesën për gjykim si dhe listën me 71 dëshmitarë të cilët ajo kërkon të thërrasë në gjyq.

SPAK kërkoi që përveç Shkelzen Berishës, të thirren si dëshmitarë edhe ish ministri i drejtësisë së kohës Aldo Bumçi, ish drejtori i ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari dhe biznesmeni Mihal Delijorgji. Lista përfshin edhe shtetasit amerikanë dhe të pandehurit e dosjes së parë për tragjedinë e Gërdecit. Nga 71 dëshmitarë 52 janë të rinj ndërsa 19 prej tyre janë persona që kanë qenë të pandehur në gjyqin e parë.

Mes 19 dëshmitarëve janë dhe biznesmeni Mihal Delijorgji, atëherë president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, atëherë drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, atëherë administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Gjithashtu është thirrur të dëshmojë edhe ish ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi. Ngjarja që lidh Aldo Bumçin me Shkëlzen Berishën, është një faks në të cilin është përmbajtja e letrës miratuese nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec, një kopje të së cilës nga zyra e Aldo Bumçit i është dërguar privatisht Shkëlzen Berishës. Kjo është dëshmia që tregon se kush interesohej për atë biznes.

Dëshmia mbështetet nga ish- sekretarja e Aldo Bumçit dhënë para prokurorëve, e cila pranon se Shkëlzeni ka shkuar në zyrë e më pas Aldo ka percjellë porosinë për tek zyra privat e e Shkëlzenit brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Mediu kërkoi 90 dëshmitarë
Procesi gjyqësor pritet të jetë i gjatë nisur dhe nga numri i madh i dëshmitarëve të cilët pritet të dëgjohen në gjykatë. Ndërkohë vetë Fatmir Mediu kërkon që të pyeten 90 dëshmitarë. Mes tyre figuron ish zëvendës sekretari amerikan i Mbrojtjes në periudhën 2006-2009 Gordon England, apo dhe ish ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Italisë.

Gjykata e Posaçme njoftoi se seanca e radhës për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir mediu, do të mbahet më 29 shtator.

Lista e emrave të dëshmitarëve të SPAK i thërret në gjykatë:

1. Feruzan Durdaj
2. Zamira Durdaj,
3. Afërdita Canga
4. Alketa Hazizaj,
5. Fejzi Shehu,
6. Rigon Durdaj,
7. Mimoza Kruja,
9. Hekuran Kaca
10. Shkëlqim Prini
11. Nikolin Hazizaj,
12. Mirela Hazizaj,
13. Drita Cani,
14. Ramazan Alla,
15. Uran Deliu,
16. Mirela Dvorani,
17. Ndue Nikolli
18. Adelina Cani,
19. Ilir Kranja,
20. Veiz Muço,
21. Murat Zguri,
22. Fejzi Shehu,
23. Caje Ciku,
24. Arta Prini (Zela),
25. Qemal Mema
26. Zigur Canaj,
27. Julian Pando,
28. Petrit Behari,
29. Zabit Cuku,
30. Sadik Sula,
31. Agim Vrana,
32. Shaban Brahushi,
33. Begator Mane,
34. Bujar (Abdullah)Nasufi,
36. David Clark Howell
37. William Merrit Hart,
38. Sidney Tison Macintyre,
39. Rodney Spenser Taylor,
40. Kol Dedgjonaj,
41. Ismet Drenova,
42. Ardian Mullahi,
43. Plarent Ruka,
44. Bardhyl Hoxha,
45. Sokrat Papadhima,
46. Viktor Përshqefa,
47. Anila Lala (Gjergji),
48. Liza Maksuti,
49. Alma Zili
50. Anjola Agolli,
51. Aldo Bumci,
52. Shkëlzen Berisha, i biri i Sali,
53. Ylli Pinari,
54. Luan Hoxha
55. Armand Tartari
56. Ndue Marku,
57. Jorgo Mino,
58. Fatbardh Kuçi,
59. Gëzim Oshafi,
60. Denis Hajdari,
61. Agim Babameto:
62. Shkëlzen Madani,
63. Rezart Tërshana,
64. Besnik Dauti,
65. Dashnor Çaushi,
66. Fari Toska,
67. Zenun Fero,
68. Hilmi Laçaj,
69. Sokol Ngjeçi,
70. Mihal Delijorgji,
71. Dritan Minxolli
Roli i dëshmitarëve
Sipas Kodit Penal, personat që thirren si dëshmitarë në gjykatë kanë detyrimin të tregojnë gjithçka dinë në mënyrë të vërtetë, në të kundër rrezikojnë dënimin nga gjobë deri në dy vjet burg. Ndërkaq, refuzimi për të dëshmuar dënohet deri në një vit heqje lirie. Avokatët kanë kërkuar edhe kryerjen e një ri-ekspertimi mbi shkakun e shpërthimit në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, duke aluduar se ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e një akti të qëllimshëm. Pas rihapjes së hetimeve, SPAK e ka akuzuar Fatmir Mediun për shpërdorim detyre në dosjen Gërdeci e cila u dërgua për gjykim në shkurt të këtij viti. Procesi u shty për 7 muaj për shkak të kërkesave proceduriale nga avokatët e ish-ministrit dhe përfaqësuesit e viktimave.

Tragjedia e Gërdecit

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament.