Aktualitet Rajoni

Gërvalla me Kurtin në SHBA: Do ballafaqohemi me sulmet dhe gënjeshtrat e Vuçiçit ndaj Kosovës!

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ndodhen në SHBA për të marrë pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku dhe do të përballen me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në llogarinë e saj në Facebook, Gërvalla shkruan se ‘do të ballafaqohen me sulmet, gënjeshtrat dhe propagandën e Vuçiçit ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj’.

“Ndërkohë që së bashku me Kryeministrin Kurti jemi nisur për Nju Jork, ku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të ballafaqohemi me Aleksandar Vuçiçin dhe sulmet, gënjeshtrat, propagandën e tij ndaj Kosovës, qytetarëve dhe institucioneve të saj, opozita paska zgjedhur pikërisht ditën e sotme për të debatuar rreth Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke refuzuar propozimin për shtyrje të kësaj pike të rendit të ditës deri në seancën e ardhshme.

 Meqenëse detyra ime ma kërkon që sot të jem në Nju Jork dhe nga pamundësia që të jem e pranishme në atë seancë të Kuvendit, dua të përcjell mesazhin që jo vetëm që nuk i shmangem asnjë debati dhe asnjë hetimi, por mezi po pres që të flasim edhe për keqmenaxhimin e parasë publike edhe për punësimet e jashtëligjshme, familjarizmin dhe shkeljet konstante të ligjit në këtë ministri. Mezi po pres!

Duke mos dashur të merremi me të kaluarën, si qeveri e re kemi kryer reformën më të thellë në këtë institucion të rëndësishëm të Republikës, duke vendosur në çdo segment si kriter të vetëm ligjin, profesionalizmin dhe meritokracinë dhe duke vënë në binarë të duhur kontrollin e financave dhe parasë publike si dhe llogaridhënien në çdo fushë, si brenda ministrisë, ashtu edhe në misionet tona diplomatike jashtë vendit.

Ka vdekur koha e pazareve dhe emërimeve të ambasadorëve dhe konsujve nëpër kafene, telefonata të stilit pronto dhe në oda, të shpenzimeve marramendëse për udhëtime dhe hotele, të shitjes së pasaportave nëpër stacione trenash dhe pika karburanti, të sorollatjes me pasaporta dhe targa diplomatike dhe lloj-lloj malli nëpër ato vetura, të tonit harbut ndaj qytetarëve nëpër konsullata.

Për të gjitha këto mezi po pres të flasim edhe në Kuvend por edhe në publik. Qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë të dijnë se nga kush dhe si janë përfaqësuar vite me radhë jashtë vendit”-shkruan Gërvalla.