Bota

Gjermania “hakmerret” ndaj të pavaksinuarve, nga shtatori nuk ka më testime falas për ta!

Në garën me kohën për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Gjermania nuk bën më lëshime. Ajo që përflitej, tashmë është zyrtare: “Nuk do të ketë më testime falas anti-COVID për ata që refuzojnë të vaksinohen”. Lajmin e bëri të ditur Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Duket se Berlini ka zgjedhur linjën e ashpër ndaj personave që refuzojnë vaksinat dhe siç bën të ditur “Bild”, masa do të hyjë në fuqi në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit. Kjo është edhe koha kur të gjithë kanë mundësinë të marrin dozën e dytë e nëse nuk pranojnë, qeveria nuk ka ndërmend t’iu mbulojë shpenzimet e testeve falas, aq të rëndësishme në strategjinë e rihapjes së vendit.

Kush nuk vërteton se u vaksinua me të dyja dozat apo se është shëruar nga COVID-i duhet të paraqesë test negetiv për disa aktivitete si darkimi në restorante ose fjetja në hotel.

Mbi 61% e popullatës gjermane ka marrë vetëm një dozë të vaksinave anti-COVID.

Ndërkaq, Berlini zyrtar mbështet një studim e do të fillojë të rekomandojë bërjen e vaksinave për moshat nga 12 në 17-vjeç. Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA dha OK-ein duke i cilësuar të sigurta për këtë grupmoshë, vaksinat e Pfizer&BioNTech-ut dhe Moderna-s.

Po ashtu, bëhet e ditur se pas një muaji, Gjermania do të ofrojë dozën e tretë për të moshuarit e pacientët e rrezikuar.