Fashion

Gjiganti ‘H&M’ bën një hap pas akuzave për seksualizimin e fëmijëve!

Njerëzit në rrjetet sociale kanë akuzuar markën suedeze H&M për seksualizimin e fëmijëve, përmes fushatës së re, në të cilën paraqiteshin dy vajza të vogla, të veshura me uniformë shkolle. “Bëji të kthejnë kokat” ishte mesazhi i fushatës, që ngjalli zemërim te njerëzit. Pas qindra reagimeve nga njerëzit në rrjetet sociale, H&M bëri një reagim për CNN, ku njoftoi se fushata u fshi dhe marka kërkoi ndjesë për pasojat e saj. “E kemi hequr fushatën. Na vjen jashtëzakonisht keq për ndikimin që ka shkaktuar duke premtuar se do të jemi më të vëmendshëm në fushatat e së ardhmes”.

Njerëzit e quajtën fushatën “të frikshme” dhe “të neveritshme”, duke e akuzar markën se po seksualizonte fëmijët, duke ndikuar në mënyrën se si ato e shohin shkollën dhe vëmendjen. “Vajzat e vogla nuk duan që të marrin vëmendjen e njerëzve”; “Ç’dreqin është kjo fushatë?”; “Pse po seksualizohen fëmijët?”; “Më fal, fillimisht Balenciaga, tani H&M?” ishin disa nga komentet e njerëzve në rrjet, gjithashtu edhe prindërit shprehën shqetësim mbi fushatën e publikuar.