Aktualitet

Lihet në burg 18-vjeçari i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Stiven Toshkësit në Tiranë!

Gjykata e Tiranës la në burg të riun Ensi Maze, i akuzuar si bashkëpunëtori i Axel Hoxhajt në vrasjen me thikë të 20 vjeçarit Stiven Toshkësi në Rrugën e Dibrës, mbrëmjen e 19 prillit. I pari që u vetëdorëzua në komisariat pas ngjarjes së rëndë, mësohet se 18-vjeçari Maze studion në Holandë në degën e Menaxhim Biznesit. Në Shqipëri gjendej për pak ditë ndërsa duhej të kthehej në shtetin holandez më 19 prill.

Në sallën e gjyqit deklaroi se nuk ka pasur asnjë konflikt me viktimën Stiven Toshkësi dhe se ishte gjendur rastësisht në ngjarjen që përshkallëzoi deri në vrasjen e 20 vjeçarit.  Ai tha se nuk i ka parë veprimet e autorit të dyshuar Axel Hoxhaj e shtoi se nuk kishte dijeni për konfliktin mes të dyve.

Jam vetëdorëzuar pas ngjarjes dhe kam dhënë edhe shpjegime të detajuara. Nuk i kam parë veprimet që ka kryer Axeli me viktimën. Unë studioj në Holandë për menaxhim biznesi.

Në dëshminë e dhënë më herët, Maze tregoi se Stiven Toshkësi shkoi me makinë, ndaloi e kur doli nga aty e qëlloi me grushta dhe se pas kësaj, Toshkësi u godit disa herë me thikën nga Axel Hoxhaj. Po ashtu ai pati treguar edhe se ishte në dijeni të një konflikti që autori me viktimën kanë patur për shkak të një vajze, e cila ishte e dashura e Stivenit, por edhe Axel Hoxhaj e pëlqente.

Një ditë më parë, shtetasi Axel Hoxhaj u dorëzua në polici duke ndjekur dhe këshillën e familjarëve të tij. Mësohet se deri tani i është marrë dëshmia e parë mbi ngjarjen e ndodhur, por pritet që i riu të merret sërish në pyetje për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit me një viktimë. Raportohet se pista kryesore e hetimit është bërë sherri fizik që autorët dhe viktima kishin pasur më herët për shkak të një vajze.