Aktualitet

Dhuna e Rrajave, gjykata lë në burg tre prej katër të arrestuarve/Lirohet pronari i lokalit!

Dhuna barbare në një lokal në Fushë Krujë-Thumanë për guroren e Rrajave, Gjykata e Tiranës lë në burg tre nga katër të arrestuarit për goditjet me sende të forta e kërcënimet me armë zjarri ndaj kushërinjve Jashar e Bilbil Maja, që ishin ankuar për aktivitetin e gurores, në pronësi të të afërmve të Rrahman Rrajës, i cili dje njoftoi dorëheqjen si deputet i Partisë Socialiste në Krujë.

Pas hekurave mbetën Ineid e Andi Rraja, si dhe Eni Kulla, ndërsa për pronarin e lokalit, shtetasin Kujtim Përdaku u vendos masa “Detyrim për paraqitje”. Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale: “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Për ngjarjen që çoi në shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi nga kryeministri Rama e zëvendësimin me Taulant Ballën, katër të tjerë ende janë në kërkim. Një natë më parë, policia ngriti postblloqe në hyrje e dalje të Krujës, si dhe kontrolloi makinat me xhama të zinj, por pa rezultat.

Më herët gjatë ditës, policia njoftoi bllokimin e aktivitetit të gurores në fshatin Borizanë ku vazhdimisht ka patur ankesa e protesta të banorëve të zonës së nga shpërthimet, po iu dëmtoheshin shtëpitë.

Përveç kontrollit në guroren e Rrajave në Borizanë, u bë këqyrja e nëntë banesave, që dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i saj. Gjatë këqyrjes morën pjesë edhe specialistë të Agjencisë Kombetare të Burimeve Natyrore, të cilët bënë matjet për të përcaktuar distancën midis gurores e shtëpive.  Aktet procedurale do të referohen në Prokurorinë Tiranë.

Shtetasit Jashar e Bilbil Maja shkuan të takohen me inxhinierin për të kërkuar zgjidhje të problemit kur në mjediset e një lokali në Thumanë mësynë dhunuesit që i kërcënuan me armë zjarri dhe i goditën me shkopa bejsbolli e gome, si dhe qyta pistoletash.