Showbiz

“Godzilla vs. Kong” mposht pandeminë, rekord fitimesh!

Filmi “Godzilla vs. Kong”, prodhim i Legendary Pictures dhe Warner Bros tejkaloi të gjitha parashikimet duke grumbulluar plot 48.5 milionë dollarë në pesë ditët e tij të para të publikimit.   32.2 milion dollarë nga 3.064 kinema, u grumbulluan vetëm për fundjavën tre ditore të Pashkëve.

Filmi është më i suksesshmi deri tani që nga fillimi i krizës COVID-19. Performanca e tij shënon një rikthim të madh të besimit  për studiot e Hollywood-it dhe kinemave, të cilat shqetësohen se kur shfaqja e filmave do të rifillojë normalisht dhe nëse është i sigurt publikimi i filmave “big” javët e ardhshme.

“Unë mendoj se një film i madh si ky tregoi që njerëzit kanë një oreks të madh për të parë filma në kinema”, tha Joshua Grode, CEO i Legendary. Ai tha se vendimi për të publikuar filmin  nuk ishte i lehtë, por se ky prodhim, ishte filmi i duhur për momentin.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha në përpjekje për t’u rikuperuar. Vetëm 55 përqind e kinemave janë rihapur tani, ndërsa rreth 20 përqind në Kanada.

Në një kohë normale, kjo shifër e  “Godzilla vs. Kong” do të konsiderohej qesharake për një film që ka kushtuar rreth 200 milion dollarë.