Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Sport

Gola si rrallëherë, Vllaznia e Tirana e nisin sezonin me fitore!

Plot 8 gola u shënuan në ndeshjen Laçi-Vllaznia, aty ku shkodranët ia dolën të thyejnë një tabu që rezistonte prej vitesh dhe morën tre pikët falë suksesit 3-5.

Përballja mes këtyre dy skuadrave ka qenë gjithmonë e luftuar dhe spektakolare, por as më optimisti nuk e kishte parashikuar që do të shënoheshin 8 gola e për më tepër, 6 prej tyre në 45 minutat e para.

Shkodranët morën menjëherë kontrollin e lojës në Laç dhe arritën të fitojnë një 11-metërsh me anë të Esin Hakajt, i cili u pengua në zonë nga Ignjatovic, ndërsa arbitri Kreshnik Cjapi e akordoi vetëm pasi rishikoi aksionin në VAR.

Nga pika e bardhë shkoi Liridon Latifi, i cili gjuajti sa këtë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke u dhënë avantazhin shkodranëve dhe njëkohësisht festuar me gol rikthimin e tij në elitën e futbollit shqiptar, ku më herët ka lënë gjurmë me Skënderbeun.

Në minutën e 24-t, kroati Aralica zbriti shpejt në kundërsulm dhe shërbeu për braziliani Da Silva në zonë, i cili e pati të lehtë të shtyjë topin në rrjetë për herë të dytë, duke krijuar iluzionin e një fitoreje të lehtë të shkodranëve.

Megjithatë braziliani Da Silva u bë protagonist negativ në minutën e 34-t, pasi la një top mbi vijën e zonës në mënyrë amatore dhe nga kjo situatë përfitoi malazezi Zarubica, i cili lëshoi një goditje të fortë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke rihapur takimin.

Vetëm katër minuta më vonë, ka sërish një vertikalizim të bukur në zonë për Zarubicën, i cili i shpëton mbulimit të Hakajt dhe pozicionit jashtë loje, stopon bukur topin dhe e dërgon më pas në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën.

Ka entuziazëm te vendasit, të cilët kërkojnë edhe golin e tretë, por ata që godasin janë sërish shkodranët, që nisen në një kundërsulm me Aralicën, i cili pasi vrapon nga gjysmëfusha kuqeblu, vihet i vetëm përballë Sherrit dhe dërgon topin për herë të tretë në rrjetë.

Trajneri Brdariç sheh orën, pasi mezi pret të shkojë në dhomat e zhveshjes në avantazh, por të tijtë nuk ia ofrojnë këtë kënaqësi, pasi nuk largojnë si duhet një top në minutat shtesë dhe përfiton maksimalisht Regi Lushkja, që lëshon një tjetër predhë nga distanca, duke rikthyer baraspeshën.

Pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm si e para, teksa pas vetëm dy minutash lojë, Vllaznia rimerr avantazhin. Një top i mbetur në zonë pas një krosimi nga këndi, shfrytëzohet mjaft mirë nga kapiteni Gurishta, që gjuan pa u menduar dhe e dërgon në rrjetë.

Në minutën e 66’ shkodranët kanë mundësinë të shënojnë një tjetër gol, teksa njërit prej më të mirëve në fushë, kroatit Aralica, i del një top disi edhe me fat dhe niset drejt portës, por vonohet dhe më pas gabon në tentativën për të dribluar kapitenin kurbinas Ignjatovic.

Në të 73-tën është Liridon Latifi që guxon me një goditje dënimi nga shumë larg portës së Sherrit dhe goditja e numrit 7 kuqeblu ka forcën e duhur, por jo saktësinë për të shtangur portierin e kurbinasve.

Minutat në vijim të dy trajnerët provojnë të freskojnë skuadrën, ndërsa shkodranët kalojnë me rreshtimin 5-3-2 dhe ia dalin të mbajnë rrezikun larg portës së Zogoviç, ndërsa në minutat shtesë është braziliani Caina Amarante që shënon edhe golin e pestë për kuqeblutë, duke vulosur suksesin e parë sezonal.

Vllaznia e nis kështu mbarë një sezon, ku objektivi mbetet i njëjtë, titulli kampion, ndërsa Laçi bën një ndeshje të mirë, por tregon se ka shumë për të korrigjuar në repartin e prapavijës, ku ka ndryshuar jo pak krahasuar me sezonin e kaluar.

Tirana-Skënderbeu 4-2

E nis mbarë sezonin edhe Tirana, që përfiton maksimalisht nga epërsia numerike në pjesën e dytë ndaj Skënderbeut dhe mposht korçarët me rezultatin e thellë 4-2, në një sfidë ku protagonist u bë Michael Ngo’o, me një dopietë.

Sfida nisi mjaft mirë për Tiranën, që gjeti golin e avantazhit që në minutën e katërt. Pas një krosimi nga këndi dhe një rrëmuje në zonë, mbrojtësi Behiratce përfitoi për të dërguar topin në rrjetë, ndërsa goli u konfirmua edhe nga VAR-i pavarësisht protestave të korçarëve.

Këta të fundit reagojnë menjëherë dhe bëjnë që në “Selman Stërmasi” të bjerë heshtja pas vetëm dy minutash, pasi braziliani Jean Victor mori një pasim të mirë nga Bismark dhe arriti ta dërgojë në rrjetën e portës së Ilion Likës.

Provon Tirana të rimarrë avantazhin dhe është taulant Seferi që lëshon një goditje nga distanca në minutën e 18’, por gjuajtja është qendrore dhe zotërohet pa probleme nga portieri Rexhepi.

Në minutën e 36’ janë korçarët që kërcënojnë me golin e dytë, këtë herë me Jorgo Meksin që bën gjithçka mirë me një goditje të bukur nga distanca, por po kaq mirë reagon edhe Ilion Lika, që ndërhyn duke larguar topin në këndore.

Në shtesën e pjesës së parë kërkohet edhe ndihma e VAR-it. Pas një kontakti në zonë mes Bismark dhe Hoxhallarit, arbitri Enea Jorgji akordon penallti, por më pas ndryshon vendimin e tij dhe jep vetëm rivënie fundore për Tiranën.

Pjesa e dytë nis menjëherë keq për korçarët, pasi mbrojtësi Vangjel Zguro u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la të tijtë me një lojtar më pak për gjysmën e dytë të ndeshjes.

Përfiton maksimalisht Tirana nga epërsia numerike dhe gjen golin në minutën e 59’, kur pas një asisti perfekt të Redon Xhixhës, Ngo’o doli i vetëm me portierin dhe nuk e pati të vështirë të shënojë, duke festuar me gol rikthimin e tij me fanellën bardheblu.

Dhjetë minuta më vonë, në listën e golshënuesve e shënon emrin edhe Vesel Limaj, i cili lëshoi një goditje perfekte nga jashtë zone, duke gjetur cepin e portës së mbrojtur nga gardiani i Skënderbeut, Rexhepi.

Për të vulosur suksesin bardheblu mendon sërish Michael Ngo’o, që në minutën e 73-të shënon golin e dytë personal dhe të katërtin për Tiranën, pasi pa t’i dilte një top me fat në zonën korçarë dhe e dërgoi menjëherë në rrjetë.

E nëse rezultati ishte vulosur, nuk ishin mbaruar ende golat, pasi në minutën e 90’ ishte sulmuesi Mensah që shënoi për Skënderbeun dhe bëri që sfida të mbyllej me rezultatin final 4-2.