Rajoni

Greqia kompenson energjinë, rikthen 600 euro për familje me të ardhura vjetore nën 45 mijë euro

Kompensohet energjia në Greqi, qeveria do rikthejë 600 euro për çdo familje me të ardhura vjetore nën 45 mijë euro. Me një mesazh drejtuar popullit kryeministri Kyriakos Mitsotakis shpalli një Program të ri Kombëtar të Mbështetjes, për të përballuar çmimet e larta të faturave. Gjithashtu për muajt maj dhe qershor, çdo rritje e konsumit mbi 300 Këh do të mbulohet me 50% të shumës.

Me një mesazh televiziv Mitsotakis njoftoi Programin e ri Kombëtar të Mbështetjes, për t’u ardhur në ndihmë gjithë qytetarëve të përballojnë çmimet e larta të faturave të energjisë elektrike.

“Përderisa reagimi i BE po vonon, nuk mund të prisja më, pasi vështirësitë për çdo familje e biznes janë të mëdha“- ka thënë ai.
Kyriakos Mitsotakis: Shteti do të kthejë në llogarinë bankare individuale të çdo pronari të një banese private apo me qira, 60% të të gjitha tarifave shtesë të bëra, në mënyrë retroaktive nga dhjetori deri në maj. Kufiri i këtij kompensimi të jashtëzakonshëm do të jetë 600 euro dhe do të prekë të gjithë bashkëqytetarët tanë me të ardhura vjetore deri në 45 mijë euro.

Gjithashtu për muajt maj dhe qershor, çdo rritje e konsumit mbi 300 Këh do të mbulohet me 50% të shumës -ka thënë ai -duke shtuar se kompanitë energjetike do të paguajnë pjesën e tyre të solidaritetit me shoqërinë dhe të ardhurat e tyre shtesë konjukturore do të tatohen me një tarifë të veçantë prej 90%.

Kyriakos Mitsotakis: Pavarësisht nga vendimet europiane, qeveria greke, me iniciativën e saj, do të nisë që në korrik një sistem që shkëput rritjen e çmimit ndërkombëtar të gazit nga faturat e energjisë elektrike të vendit. Kohëzgjatja e kësaj skeme do të jetë deri në një vit.

Kreu i qeverisë greke ka deklaruar se në javët në vijim nis edhe programi “Ricikloni – ndërroni pajisjen”, i cili rimburson të gjithë ata që do të blejnë kondicionerë dhe frigoriferë të rinj duke i ndërruar ata me pajisjet e vjetra që konsumojnë shumë më tepër energji elektrike.

Kishte më shumë se dy muaj që reagimi i qytetarëve grekë kishte arritur kulmin pas faturave tepër të larta të energjisë që ishin trefishuar apo katërfishuar dhe familjet e bizneset nuk mund ti paguanin.

Ndërkohë qeveria dhe vetë kryeministri grek ishin bërë objekt kritikash të partive opozitare që akuzonin, se ai dhe ministrat e tij, mbronin interesat e kompanive të energjisë elektrike, të cilat kishin regjistruar muajt e fundit fitime kolosale.