Rajoni

Greqia zgjat masat anti-COVID për udhëtarët e linjave ajrore!

Autoriteti i Aviacionit Civil të Greqisë njoftoi zgjatjen e re të masave për frenimin e përhapjes së COVID-19. Lidhur me kushtet e hyrjes në territorin grek për fluturimet nga jashtë vendit, rregullorja do të jetë e vlefshme deri më 29 tetor. Direktiva ndalon hyrjen në Greqi të shtetasve të vendeve të treta jashtë BE-së e zonës Shengen. Por, përjashton pasagjerët që udhëtojnë për arsye thelbësore dhe banorët e përhershëm të 36 shteteve, përfshirë Shqipërisë.

Kjo vlen edhe për Australinë, Maqedoninë e Veriut, Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA-të, Britaninë e Madhe, Izraelin, Kanadanë, Bjellorusinë, Bahreinin, Zelandën e Re, Korenë e Jugut, Katarin, Kinën, Kuvajtin, Ukrainën, Rusinë, Arabinë Saudite, Serbinë, Singaporin, Bosnjen, Malin e Zi, Japoninë, Libanin, Azerbajxhanin, Armeninë, Jordaninë, Moldavinë, Brunein, San Marinon, Andorrën, Vatikanin, Monakon, Turqinë, Kosovën e Taipein kinez.

Të gjithë udhëtarët, pavarësisht nga kombësia, duhet të plotësojnë formularin elektronik PLF, para nisjes së fluturimit për në Greqi. Për të hyrë në vendin fqinj, duhet të kenë certifikatë vaksinimi ose imunizimi, e vlefshme nga 30 deri në 180 ditë pas testit të parë pozitiv për COVID. Gjithashtu, provën e diagnostikimit negativ për koronavirus, me metodën PCR brenda 72 orëve të fundit apo 48 orëve, para mbërritjes në Greqi, në rast të një testi të shpejtë.

Në formë digjitale ose të printuar, pasagjerët e fluturimit nga jashtë, mund të paraqesin certifikatë digjitale europiane për COVID-19 ose një të lëshuar nga vende të treta. Duhet të përfshijë informacion mbi llojin e vaksinimit të marrë, rezultatin, datën dhe llojin e testit të kryer ose që vërteton kalimin e sëmundjes COVID-19. Të njëjtat kushte vlejnë edhe për të miturit nga mosha 12-vjeç e lart. Përdorimi i maskës është i detyrueshëm brenda aeroportit dhe gjatë fluturimit.