Aktualitet

Hapet rruga në Llogara/Ishte bllokuar nga një kamion!

Në Vlorë, te vendi i quajtur “Çezma” në “Qafën e Llogorasë”, një mjet i tonazhit të rëndë, kamion me rimorkio doli nga rruga e për pasojë u pezullua lëvizja e automjeteve në këtë aks. Në të dyja anët e tij, disa makina kishin mbetur të bllokuara, por tani situata po stabilizohet, pasi u bë e mundur zhvendosja e mjetit dhe lirimi i aksit. Më herët gjatë ditës,  Policia Rrugore e Vlorës, kërkoi mirëkuptimin e drejtuesve, që të shmangnin sa më shumë të ishte e mundur lëvizjen atje teksa punohej për zhbllokimin.

Në një tjetër zhvillim, Ura e Metoqit në Sarandë është shembur. Shkaqet ende nuk dihen por dyshohet se arsyeja mund të lidhet me kalimin e ndonjë kamioni me ngarkesë mbi tonazhin e lejuar prej 10 tonësh. Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia që shembja të ketë ndodhur nga erozioni i ujit të lumit Bistricë në njërën prej këmbëve të urës. Vitet e fundit, në këtë zonë janë ndërtuar disa banesa e komplekse blegtorale.

Në këto ditë të acarta me ngrica e dëborë, qarkullimi pa probleme është kryefjalë në kushtet kur ulja e temperaturave e vështirëson ndjeshëm dhe vazhdimisht. Autoritetet apelojnë për të treguar kujdes në rrugë, duke respektuar sinjalistikën e udhëzimet e Policisë Rrugore, ulur shpejtësinë, si edhe përdorur zinxhirë e goma dimërore, për të shmangur problematikat.

Sipas informacioneve të marra nga Emergjencat Civile, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën të ditur:

Në disa akse në qarkun e Dibrës vijon kalimi më zinxhirë, veçanërisht në bypass-in e rrugës së Arbrit, në aksin Ura e Çerenecit-Klenjë apo Trebisht-Doganë. Me zinxhirë lëvizet edhe në segmentin Lunik-Klenjë të aksit Librazhd-Sterblevë. Në Bogë-Qafë Thore-Theth, ku temperatura gjatë natës zbriti në minus 18 gradë celcius punohet për pastrimin e borës.

Gjithashtu, ka rënie gurësh në rrugën Burrel-Milot pranë Shkopetit, në afërsi të Sektorit C. Ky është problem shqetësues për drejtuesit e makinave dhe udhëtarët, pasi përbën burim aksidentesh.

Edhe në pjesën e dytë të ditës, vendi ynë mbetet nën ndikimin e të ftohtit polar që shoqërohet me mot kryesisht të qëndrueshëm. Me përjashtim të vranësirave kalimtare në veri e verilindje, në pjesën tjetër të territorit shqiptar dominojnë kthjellimet. Ndërkaq, temperaturat variojnë nga minus 12 në 8 gradë celcius.