Rajoni

Helmimi në Deçan, gjendja drejt normalizimit!

Gjendja e krijuar pas helmimit masiv po shkon drejt normalizimit në Deçan. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj. Shtabi për Menaxhimin e Emergjencave zhvilloi sot një takim ku u arrit në përfundimin se shumë shpejt do t’i jepet fund gjendjes së jashtëzakonshme.

Banorët e 12 fshatrave që furnizohen nga rezervuari në Drenoc, i cili rezultoi i ndotur do të furnizohen me ujë nga Komuna e Deçanit. Ramosaj u shpreh se do të vijojnë me zbatimin e të gjitha rekomandimeve të autoriteteve të shëndetit lidhur me standardizimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe furnizimin me ujë cilësor sipas parametrave të pranueshëm.

Pas helmimit të dyshuar nga uji në fshatrat e Deçanit të mbi 1.500 personave, Policia e Kosovës arrestoi një përgjegjës për kamerat e sigurisë te Gryka e Deçanit.
Nga hetimet e Prokurorisë së Pejës për të hedhur dritë mbi rastin, u zbulua se kamerat në atë zonë nuk ishin funksionale prej dy muajsh. I ndaluari akuzohet “Për shpërdorim detyre”. Rastet e para nisën një javë më parë.

Sipas testimeve të fundit të bëra nga Instituti i Shëndetësisë Publike doli që një pjesë e ujit nga ujësjellësi “Hidrodrini” ishte i ndotur me baktere. Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të bëjnë analiza e disa mostra u dërguan në laboratorë jashtë Kosovës.