Rajoni

Heshtje zgjedhore në Mal të Zi, nesër balotazhi presidencial Gjukanoviç-Milatoviç!

Në Mal të Zi, në mesnatë fillon heshtja zgjedhore për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit.  Në fuqi do të jetë deri në mbylljen e qendrave të votimit, nesër në orën 20:00 të mbrëmjes. Për aq sa zgjat, ndalohen spotet në media të kandidatëve presidencialë, takimet politike, publikimi i vlerësimeve të rezultateve të votimit, sloganet apo simbolet e kandidatëve dhe rezultatet e sondazheve. Presidenti Milo Gjukanoviç përballet me rivalin Jakov Milatoviç nga Lëvizja “Europa tani”.

Në pushtet prej më shumë se tre dekadash si kryeministër e si kryetar shteti, Gjukanoviç do të përballet në balotazh me ish-ministrin e Ekonomisë. Në raundin e 19 marsit, asnjëri prej shtatë kandidatëve në garë nuk arriti të fitojë 50 për qind të votave.

Krahas Gjukanoviçit e Milatoviçit, në garë ishin edhe kreu i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiç, Aleksa Beçiç, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve, Goran Daniloviç, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar, Draginja Vuksanoviç Stankoviç nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Raduloviç, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në rrjetet sociale.

Mali i Zi numëron rreth 625 mijë banorë, ndërsa të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale kishin 542 mijë e 154 qytetarë, referuar shifrave zyrtare. Rreth 30% e shtetasve në Mal të Zi identifikohen si serbë e duhet theksuar se shumë prej tyre e kanë kundërshtuar shpalljen e pavarësisë nga Serbia, në vitin 2006.

Po ashtu, më shumë se 70% e popullsisë mbështet fuqimisht Kishën Ortodokse Serbe me lidhje të forta në vend e që njihet për një histori të ndërhyrjes në punët e pavarura të Malit të Zi. Madje, drejtoi opozitën ndaj Partisë Demokratike të Socialistëve DPS, të Milo Gjukanoviçit në zgjedhjet e vitit 2020.

Kjo forcë politike pasardhëse e komunistëve të epokës jugosllave, vazhdimisht ka qeverisur nga viti 1991 deri më 2020-ën dhe është akuzuar për korrupsion, nepotizëm e lidhje me krimin e organizuar.